Presidenti Ilir Meta ka ndarë me qytetarët në Facebook një kolazh fotosh nga mbrëmja e djeshme, ku mori pjesë në eventin e realizuar nga ambasada e SHBA-ve në vendin tonë, në kuadër të festimeve për ditën e Pavarësisë së tyre.

Kreu i Shtetit shihet i buzëqeshur në krah të ambasadores Yuri Kim dhe thekson se është krenar për marrëdhëniet midis dy vendeve tona, duke kërkuar që ky partneritet strategjik të thellohet edhe më tej në të ardhmen.

POSTIMI I METËS:

Kënaqësi të merrja pjesë, së bashku me miq të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në pritjen e organizuar nga Ambasada e SHBA në Tiranë, për festimin e Ditës së Pavarësisë të këtij vendi mik.

Krenarë për aleancën tonë strategjike dhe për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy popujve tanë, që meritojnë të zhvillohen më tej.

Gjithmonë pranë njëri-tjetrit në promovimin dhe mbrojtjen e vlerave të përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe paqes.

FJALA E MBAJTUR NË PRITJEN E ORGANIZUAR NGA AMBASADA AMERIKANE, ME RASTIN E 246-VJETORIT TË PAVARËSISË SË SHBA

Të dashur Miq,

Jam i lumtur që jemi mbledhur së bashku në 246-vjetorin e ditëlindjes së një kombi të madh mik, të aleatit tonë historik dhe strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Amerika, ka qenë dhe mbetet një burim frymëzimi për të gjithë shqiptarët dhe për të gjitha kombet e tjera që aspirojnë për parimet universale të demokracisë, lirive dhe të dinjitetit njerëzor.

Ne jemi edhe më të vetëdijshëm, për rëndësinë strategjike që ka forcimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë, veçanërisht sot, kur Europa dhe e gjithë bota, janë tronditur thellë nga agresioni i paprovokuar dhe i pajustifikuar i Rusisë ndaj Ukrainës, duke cënuar rëndë sovranitetin dhe liritë e një vendi europian, dhe vetë vlerat që bashkojnë demokracitë perëndimore.

Ky vit përkon me një jubile shumë të rëndësishëm, atë të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona.

Një shekull marrëdhëniesh, që nisin me mbështetjen historike dhe jetike që Presidenti Uilson i dha shtetformimit shqiptar, që u ngurtësuan prej izolimit komunist, për t’u ringjallur edhe më fuqishëm me vendosjen e pluralizmit dhe të demokracisë.

“E drejta e Vetëvendosjes” do të thoshte Presidenti Uilson;

“Liria funksionon”, do të shprehej Sekretari Bejker;

“Koha është tani”, për Pavarësinë e Kosovës; dhe : “Ky është një moment i veçantë në historinë shpresëdhënëse të lirisë njerëzore, teksa Amerika shpall mbështetjen e saj për hyrjen e Shqipërisë në NATO” do të deklaronte Presidenti Bush në Tiranë:

“Kemi qenë me ju gjatë 100 viteve të shkuara, dhe do të jemi bashkë edhe në 100 vitet që do të vijnë”, do të pohonte në 100-vjetorin e shtetit shqiptar Sekretarja Klinton!

Këto momente historike janë gurë kilometrikë vendimtare, në marrëdhëniet tona prej një shekulli, që kanë skalitur gjurmë të thella në miqësinë mes dy popujve tanë.

Kjo miqësi është farkëtuar pareshtur edhe nga përkushtimi i jashtëzakonshëm i diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara.

Të punojmë të gjithë së bashku, për ta forcuar këtë miqësi dhe partneritet strategjik, sot më shumë se dje, nesër më shumë se sot, duke besuar vetëm te liria dhe demokracia.

Gëzuar Festën e Pavarësisë Amerikë!

Bekuar qoftë miqësia midis dy popujve dhe vendeve tona!

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb