President aktual i Çekisë, Milos Zeman, fitoi raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale dhe tashmë do t’i duhet të përballet në balotazh me kandidatin Jiri Drahos, ish-kryetar i Akademisë së Shkencave të vendit.

Ishin tetë kandidatë që u munduan të fitonin ndaj 73-vjeçarit që kërkon të rizgjidhet president për një mandat tjetër pesë-vjeçar.

Pas numërimit të rreth 95% të votave nga Zyra e Statistikave të Çekisë dhe me rreth 65% pjesëmarrje të votuesve, zoti Zeman kryesonte me 39.3% të votave, i pasuar nga zoti Drahos me 26.3%, dhe nga ish-diplomati Pavel Fischer me 10.1%.

Zoti Zeman, një ish-kryeministër i majtë, u zgjodh për herë të parë president në vitin 2013 në votimin e parë të drejtpërdrejtë popullor në Çeki.

Presidenti Zeman u bë i njohur për retorikën e tij të fortë kundër emigrantëve, duke fituar kështu edhe mbështetjen e së djathtës së skajshme populiste. Ai e ka përçarë vendin nëpërmjet qëndrimit të tij pro-rus dhe me mbështetjen për lidhje më të afërta me Kinën, njofton VOA.

Ai ishte një ndër udhëheqësit e paktë evropianë që mbështetën kandidaturën e Donald Trumpit për në Shtëpinë e Bardhë. Balotazhi do të zhvillohet në datat 26 dhe 27 janar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: