Nga Shaban MURATI

Aq e madhe duhet të ketë qenë pakënaqësia e Moskës për uljen e tensioneve dhe fillimin e zgjidhjes së krizave politike në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë, saqë presidenti rus Vladimir Putin gjykoi të ndërhyjë personalisht për të turbulluar prapë disa ujëra ballkanike. Për këtë qëllim ai priti në Kremlin në 24 maj, jashtë çdo protokolli diplomatik, Gjeorge Ivanovin, presidentin e shtetit të vogël ballkanik, Maqedonisë, i cili nuk ndodhej në Moskë për vizitë zyrtare, por thjesht për të marrë një çmim fetar nga kisha ortodokse ruse. Presidenti rus kishte ngutje ta jepte vetë shkëndijën e një provokimi diplomatik, politik dhe historik drejt Ballkanit, dhe e lëshoi këtë me deklaratën në takimin me Ivanovin se “alfabeti dhe shkrimi sllav erdhën te ne nga toka e Maqedonisë”. Meqë dihej paraprakisht se kjo deklaratë do të shkaktonte një stuhi zemërimi në Bullgari, mund të thuhet se provokimi i tij ia arriti qëllimit për krijimin e një skandali diplomatik. Në mënyrë unanime, qeveria, politika, shkenca, shoqëria civile dhe opinioni bullgar u ngritën në protestë për të hedhur poshtë të pavërtetën e presidentit rus për ardhjen e alfabetit dhe shkrimit sllav në Rusi nga Maqedonia, deklaratë e cila u kualifikua në Bullgari si një cenim i identitetit kombëtar.

Kryeministri bullgar Bojko Borisov thirri brenda ditës në takim ambasadorin e Rusisë në Sofje dhe i shprehu qëndrimin se deklarata të tilla shkaktojnë reagime të fuqishme te qytetarët bullgarë. Zëvendëskryeministri dhe ministër i Mbrojtjes, Krasimir Karakaçanov, deklaroi në 25 maj se “politika ruse asnjëherë nuk ka qenë korrekte me Bullgarinë dhe me historinë bullgare”. Me deklarata kundër pretendimit të presidentit rus dolën ministrja e Jashtme, ministri i Kulturës dhe shumë personalitete të rëndësishme politike, kulturore e shkencore bullgare.

Presidenti rus nuk e hodhi rastësisht këtë provokim ndaj Bullgarisë në takimin me Presidentin e Maqedonisë. Ai është i ndërgjegjshëm se deklarata e tij do të sjellë erëra të reja të ftohta në marrëdhëniet midis dy fqinjëve ballkanikë, njëri shtet anëtar i NATO-s dhe tjetri kandidat për anëtar i NATO-s. Rusia e din nga eksperienca se fusha më e lehtë për të provokuar trazira në Ballkan midis shteteve dhe popujve është historia. Rusia e din se midis Bullgarisë dhe Maqedonisë ka pikëpamje dhe qëndrime të ndryshme për sa u përket historisë, personaliteteve historike, gjuhës dhe kulturës sllave. Por presidenti Putin zgjodhi të fryjë konfliktin, duke inkurajuar Maqedoninë në rrugën e shtrembër të përvetësimit të historisë dhe të kulturës së popujve fqinjë. Putin zgjodhi ta inkurajojë Maqedoninë në përplasjen me një shtet anëtar të BE-së dhe të NATO-s. Ai din se ky ekuacion konflikti mund të shtrihet edhe në raportet e Maqedonisë me BE-në dhe me NATO-n, ku Bullgaria është anëtare dhe, njësoj si Greqia, ka të drejtën e vetos për anëtarësimin e Maqedonisë.

Është e kuptueshme se udhëheqja e shtetit maqedonas, dhe sidomos grupimi politik i presidentit Ivanov dhe i ish-kryeministrit Gruevski, do të ndihen tepër të inkurajuar nga kjo përkrahje e Rusisë në raport me një shtet fqinj anëtar të NATO-s dhe të BE-së. Duke mikluar sedrën nacionaliste maqedonase dhe pretendimin antihistorik të Shkupit për alfabetin dhe shkrimin sllav, Moska nxit përplasje politike dhe diplomatike midis dy shteteve. Ish-ambasadori i Bullgarisë në Rusi, Ilian Vasilev, e akuzoi presidentin rus se “po luan me Serbinë dhe me Maqedoninë me qëllimin që të rrisë presionin mbi Bullgarinë”. Ambasadori thekson se “Kur Putini flet në këtë mënyrë për historinë, kjo do të thotë se politika e tij e sotme mbështetet në traditat imperiale të Rusisë”. Gema Grozdanova, përfaqësuese e partisë në pushtet të kryeministrit, GERB, deklaroi se “ky është provokim nga ana e presidentit Putin, që është politika e vazhdueshme e Rusisë ndaj Ballkanit Perëndimor”.

Analizën e plotë e gjeni sot në Gsh.al në linkun:

http://www.gsh.al/2017/05/29/presidenti-rus-provokon-bullgarine-dhe-ballkanin/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: