Udhëheqësi i përkohshëm i Sirisë , Ahmed Al-Sharaa do të vizitojë Jordaninë të mërkurën dhe do të takohet me Mbretin Abdullah për të diskutuar forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve fqinje,  sipas deklaratës së  dy zyrtarëve  jordanezë.

Vizita është e treta jashtë vendit , pas Arabisë Saudite dhe Turqisë  për liderin e ri tranzicional që u ngrit në pushtet pasi udhëhoqi një ofensivë rebele që çoi në rrëzimin e Bashar al-Assad-it të mbështetur nga Irani.

Sharaa pritet të zhvillojë bisedime të gjera mbi sigurinë kufitare dhe mënyrat për të zgjeruar marrëdhëniet tregtare.

Marrëdhëniet e Asadit me shumicën e vendeve arabe dhe fqinje ishin përkeqësuar gjatë luftës gati 14-vjeçare në Siri.

Ai është zotuar të godasë trafikun e drogës përgjatë kufirit të dy vendeve që u zgjerua nën sundimin e Asadit dhe për të cilin Jordania fajësoi milicitë pro-iraniane që dominonin Sirinë jugore.

Jordania e cila priti konferencën e parë ndërkombëtare për Sirinë një javë pasi Assad u detyrua të largohej nga vendi, dëshiron të shohë një tranzicion politik paqësor në Siri  nga frika e një rikthimi në kaos dhe paqëndrueshmëri përgjatë kufijve të saj.

Zyrtarët kanë thënë se janë të gatshëm të ndihmojnë në rindërtimin e Sirisë dhe kanë premtuar se do të zbusin mungesën e saj të energjisë duke e furnizuar atë me energji elektrike dhe gaz.

Fundi i sundimit të Asadit ka përmbysur situatën gjeopolitike në Lindjen e Mesme, duke i dhënë një goditje të madhe aleatit të tij, Iranin, dhe duke i hapur rrugën vendeve të tjera për të ndërtuar marrëdhënie të reja me një vend në udhëkryqin e rajonit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb