Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se presidenti amerikan Donald Trump do të paralajmërojë për “rreziqet e socializmit” në një fjalim që do të mbajë të hënën në mbështetje të udhëheqësit të opozitës venezueliane Juan Guaido, i cili është i njohur nga Shtetet e Bashkuara si president i përkohshëm i Venezuelës, transmeton voa.

Presidenti Trump do t’i bëjë komentet në Universitetin Ndërkombëtar të Floridës, ndërkohë që administrata e tij vazhdon të protestojë kundër presidentit socialist të Venezuelës, Nicolas Maduro. Universiteti ndodhet në një lagje të Majamit që ka përqendrimin më të madh të venezuelianëve në SHBA.

Presidenti Trump ka refuzuar të përjashtojë një ndërhyrje ushtarake të SHBA në Venezuelë, por kongresmeni Eliot Engel, kryetari demokrat i Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, tha gjatë një seance dëgjimore të kongresit të mërkurën se ligjvënësit nuk do ta mbështesnin një veprim të tillë.

“Jam i shqetësuar për vringëllimin e shpatave nga ana e presidentit dhe akudimet e tij se ndërhyrja ushtarake amerikane mbetet një alternativë. Dua ta bëj të qartë se ndërhyrja ushtarake amerikane nuk është një alternativë,” tha zoti Engel.

Presidenti Trump ishte ndër të parët mes 51 udhëheqësit botërorë që njohën kryetarin e kuvendit kombëtar të vendit, Guaido, si president të përkohshëm. Guaido e shpalli veten udhëheqës të vendit pas protestave masive kundër Maduros. Venezuela ka inflacionin më të lartë në botë si dhe mungesa të mëdha ushqimore. Tre milionë njerëz – rreth 10 përqind e popullsisë – kanë ikur nga vendi.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb