Përfaqësuesi i PS-së Plarent Ndreca, i ftuar në emisionin “Front line” në “Neës 24”, duke folur për iniciativën për shkarkimin e Metës, deklaroi se kreu i shtetit u përfshi totalisht në fushatë elektorale, ashtu siç nuk duhet të veprojë.

Ndreca theksoi se kreu i shtetit po ashtu degradoi në thirrje përçarëse, duke goditur vetëm njërën palë politike.

“Ka arsye të mjaftueshme që të bëjmë precedent. Kur një president përfshihet totalisht në fushatë elektorale, mendoj se është përdhosur institucioni më i lartë i shtetit shqiptar. Presidenti është mbi palët dhe nuk duhet të përfshihet në agjenda të ditës, është rol honorifik, ai duhet të bashkojë popullin dhe jo ta ndajë. Meta ka treguar shembullin më të keq si drejtohet Presidenca. Presidenti ka degraduar në thirrje përçarëse, ka goditur njërën palë politike. Kreu i shtetit ka thënë se do japë dorëheqjen nëse Rama fiton. Meta nuk duhet të jetë më në atë zyrë. Meta mund të jetë një aktor politik, por nuk mund të jetë më në atë institucion, që i përket gjithë shqiptarëve. Shkarkimin e presidentit nuk e bën parlamenti, por Gjykata Kushtetuese. Meta përdor argumente politike dhe jo kushtetuese”, tha Ndreca.

Plarent Ndreca vlerësoi se ikja e Metës nga posti që mban nuk nënkupton se maxhoranca do të kapë institucionin e Presidencës.

“Është për të ardhur keq ku ka rënë Presidenca e Shqipërisë. Është e rëndë institucionalisht ta thuash që është puç, a thua se ikja e Metës zhbën gjithë institucionin. Ikja e Metës nuk do të thotë se është kapur institucioni. Presidenti nuk ka kompetenca për të mbrojtur institucione. Parlamenti është institucioni nga ku burojnë pushtetet e tjera. Presidenti ka fuqi të kufizuara ligjore. Legjitimitetin e parlamentit e vendos vetëm populli. Meta vazhdon të cenojë imazhin e parlamentarizmit. Është e drejtë e presidentit të mbrohet nga akuzat. Kreu i shtetit të përballet me akuzat e maxhorancës, nëse nuk përballet, rezulton se nuk ka kapacitet juridik që të përballet. Mendoj se këtë herë janë plotësuar të gjitha kushtet që presidenti aktual mos të jetë më aty”, u shpreh Ndreca.

Për Ndrecën, Meta vijon të jetë kryetar i LSI-së dhe se këtë rol thjesht e bën nga presidenca.

“Meta bën vetëgjyqësi. Nuk është kompetencë e Metës që të mbrojë votën. Presidenti ka kohë që flet me gjuhën e opozitës. Nëse një gjë e tillë do ndodhte në vend perëndimor, kreu i shtetit nuk do ishte as një muaj në detyrë. Meta vazhdon të jetë kryetar i LSI dhe e bën nga Presidenca. Meta duhet flakur nga presidenca, ai duhet të jetë edhe presidenti im, por nuk e bën këtë gjë. Meta bëri edhe demonstratë më 2 mars, ky është realisht grusht shteti. Këta janë jashtë çdo imagjinate që mund të ndodhë, në një vend që pretendon të jetë pjesë e BE-së. Meta ka rol ceremonial dhe asgjë më shumë.”, deklaroi Ndreca.

Plarent Ndreca në fund vlerësoi se e rëndësishme më 25 prill ishte fitorja e PS-së, duke shtuar se nuk kishte masakër elektorale në zgjedhje.

“E rëndësishme është që ekipi i PS mori 74 mandate. Më vjen keq edhe për mandatin që nuk fitova, sepse do ishte mandati i qytetarëve. Ne e kishim objektiv që në Tiranë të fitonim 20 mandate, por nuk ia dolëm dot. Ama, fituam dhe kjo ka rëndësi. Procesi zgjedhor do ketë defekte përherë, e rëndësishme është që në tërësi ishte një proces normal. Nuk kishte masakër elektorale më 25 prill. Unë do të vazhdoj të jap kontribut në PS”, përmbylli Ndreca.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb