Mëngjesin e sotëm kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka reaguar në lidhje me deklaratën e djeshme të presidentes së Maqedonisë së Veriut, e cila në ceremoninë e betimit iu referua vendit të saj më emrin e vjetër “Maqedoni”.

Në një postim në rrjetet sociale Mitsotakis tha se kjo është një iniciativë e paligjshme dhe e palejueshme dhe një akt që shkel Marrëveshjen e Prespës dhe vetë Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.

Në të njëjtën kohë, ai deklaron se Greqia refuzon manipulime si ato me të cilat zonja Silianovska po hap mandatin e saj dhe e ka këshilluar këtë të fundit t’i kthehet detyrave të saj ligjore dhe sjelljeve që rrjedhin nga posti i saj i ri.

“Ne deklarojmë kategorikisht se nuk do të pranojmë ‘rrëshqitje’ të ngjashme. Dhe përsërisim se çdo përparim në marrëdhëniet dypalëshe, si dhe çdo hap i ndërmarrë nga Shkupi drejt Evropës, varet nga respektimi i sinqertë i marrëveshjeve, nga përdorimi i drejtë i emrit kushtetues të shtetit fqinj dhe sigurisht nga shmangia e sfidave”, përfundon kryeministri, Kyriakos Mitsotakis.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: