Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë rënë dakord “në parim” për një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë, tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në një konferencë shtypi të hënën pas një samiti në Bruksel.

“Jam shumë e lumtur që liderët arritën të bien dakord në parim për paketën e gjashtë të sanksioneve, kjo është shumë e rëndësishme. Falë kësaj, (këshilli) tani duhet të jetë në gjendje të finalizojë një ndalim për pothuajse 90% të të gjithë importeve të naftës ruse deri në fund të vitit. Ky është një hap i rëndësishëm përpara”, tha von der Leyen.

Von der Leyen shtoi se 10% e mbetur e importeve të naftës ruse është nëpërmjet një tubacioni në Hungari dhe Sllovaki. Këto importe do të përjashtohen nga sanksionet, tha ajo.

“Dy të tretat e naftës që kemi në BE është në det dhe një e treta në tubacion”, tha von der Leyen, “Ne kemi rënë dakord për momentin për një përjashtim. Ne kemi rënë dakord që këshilli t’i rikthehet temës sa më shpejt të jetë e mundur.”

Von der Leyen deklaroi se liderët ranë dakord të heqin Sberbank, bankën më të madhe të Rusisë, nga rrjeti SWIFT, si dhe të vendosin një ndalim të sigurimit të anijeve ruse nga kompanitë e BE-së dhe një ndalim për t’u ofruar kompanive ruse një sërë shërbimesh.

Von der Leyen shtoi se do të kishte një pezullim të transmetimit të tre mediave të tjera shtetërore ruse në BE. Ajo nuk specifikoi se cilët transmetues do të pezullohen.

“Ne po punojmë për një mekanizëm për të pasur një paketë të jashtëzakonshme ndihme makrofinanciare prej 9 miliardë eurosh, për të cilën do të punojmë tani në javën e ardhshme – si ta zbatojmë atë”, tha von der Leyen.

Udhëheqësit zhvilluan gjithashtu bisedime intensive për rindërtimin e Ukrainës. Von der Leyen theksoi se koordinimi midis shteteve të BE-së është i nevojshëm për ta realizuar këtë.

“Ishte mirë që mundëm të diskutonim propozimin e komisionit në këshill për të krijuar një platformë ku të kanalizojmë të gjitha nismat ndërkombëtare për të qenë së bashku të qartë në drejtimin e udhëtimit, për të rritur investimet e nevojshme, por edhe për të qenë shumë e qartë se investimet vijnë me reforma,” tha ajo.

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb