KOSOVË-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dënon ashpër aktet e dhunës që ndodhën në 24 orët e fundit në Mitrovicë ku në tri incidente të ndara janë lënduar 5 qytetarë, dy shqiptarë, dy boshnjakë dhe një pjesëtar i komunitetit serb.

Presidentja Jahjaga thekson se incidentet e tilla janë të papranueshme, në një kohë që institucionet e Republikës së Kosovës po angazhohen për ruajtjen e stabilitetit dhe fuqizimin e sundimit të rendit dhe të ligjit në gjithë vendin dhe kur vendi ynë po dëshmohet si promovues i paqes dhe i stabilitetit në gjithë rajonin e Evropës Juglindore.
Jahjaga i fton të gjithë qytetarët e Mitrovicës që të përmbahen nga aktet e tilla të dhunës dhe të dëshmojnë pjekuri qytetare dhe politike.

Ajo vlerëson se këto veprime nuk i kontribuojnë rikthimit të mirëbesimit ndërmjet komuniteteve që jetojnë në Mitrovicë si dhe dëmtojnë përpjekjet shumëvjeçare të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të miqve tanë ndërkombëtarë për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë qytetarët pa dallim.
Presidentja Jahjaga ka ftuar institucionet e drejtësisë që të veprojnë me shumë profesionalizëm dhe sa më shpejt të zbardhen rrethanat të cilat quan deri tek këto incidente, të identifikohen kryesit e tyre dhe të njëjtit të nxirren para drejtësisë.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb