Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani këmbëngul që dialogu me Serbinë duhet të përmbyllet me njohje reciproke.
Znj.Osmani takoi ditën e sotme raportuesen për Kosovën në PE, Viola von Cramon-Taubadel ku u cek dhe tema e dialogut.

Në fakt Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç e ka bërë të qartë që nuk ka për ta njohur kurrë pavarësinë e Kosovës, por edhe Kurti me Osmanin duken të palëkundur në qëndrimet e tyre.

Gjithsesi në korrik do të mbahet takimi i ardhshëm Kurti-Vuçiç, me shpresë së ky i fundit do të jetë me tone te zbutura.

 

NJOFTIMI NGA PRESIDENCA E KOSOVËS

Presidentja Osmani priti në takim raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon – Taubadel
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim një delegacion të Parlamentit Evropian të udhëhequr nga raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, znj. Viola von Cramon-Taubadel.

Në takim theks i veçantë është vënë në perspektivën Evropiane të Republikës së Kosovës, mbështetjen e ofruar nga Bashkimi Evropian për vendin tonë ndër vite, si dhe për nevojën për përmbyllje të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për qëndrimin pozitiv të Parlamentit Evropian për sa i përket liberalizimit të vizave, derisa theksoi që ka shumë potencial për të intensifikuar bashkëpunimin dhe mbështetjen e institucioneve të BE-së karshi Kosovës.

Sipas saj, institucionet e reja në vend janë të gatshme për të udhëhequr reformën, si në fushën e sundimit të ligjit, krijimin e vendeve të reja të punës, investimin në bujqësi dhe avancimin e Agjendës së Gjelbër. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka bërë thirrje për prezencë dhe ndihmë të shtuar nga ana e BE-së për të siguruar mbarëvajtjen dhe qëndrueshmërinë e këtyre proceseve.
Në takim u fol edhe për dialogun me Serbinë, me ç‘rast Presidentja Osmani theksoi se ky proces duhet të përmbyllet me njohje nga ana e saj dhe se marrëveshjet e arritura duhet të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb