Me ditë të tëra qëndrojnë para spitalit infektiv për të marrë thjesht dhe vetëm një informacion zyrtar për gjendjen e të afërmit të shtruar me covid, informacion.

Dhe kur informacioni mungon me ditë të tëra indinjatën e shkarkojnë tek punonjësit e policisë që kanë si detyrë vetëm të ruajnë perimetrin e karantinës që askush i paautorizuar të mos shkelë brenda rrethimit.

Vetë spitali ka vendosur në hyrje të rrethimit një rregullore shërbimi që vlen për familjarët si dhe ka caktuar një koordinator që si rregull duhet të vendosë ura komunikimi mes familjarëve dhe personelit mjekësor. Porse ky i fundit më të shumtën e kohës qëndron brenda spitalit dhe shfaqet para familjarëve një orë gjatë paradites dhe një orë pasdite që është i vetmi orar për të futur brenda spitalit sende personale ose ndonjë ushqim a veshmbathje për të sëmurin.

Në mesin e familjarëve që ankohen ka edhe prej tyre që kanë ardhur nga larg dhe që nuk arrijnë dot që brenda ditës të njihen me gjendjen e të sëmurit apo të komunikojnë me mjekun kurues dhe kështu do tu duhet të rikthehen sërish të nesërmen.

Ky nuk është rasti i parë kur familjarët e personave të shtruar në spitalin Covid 1 fajësojnë administratën e spitalit dhe shërbimin mjekësor për mosdhënien e informacionit në kohë, sa dhe si duhet, ç’ka sipas tyre bëhet shkak për grumbullime jo normale para spitalit që përkthehen në vatra rreziku të përhapjes së virusit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb