Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi, ka reaguar pas shembjes së paligjshme të “Prestige Resort” në Golem.

Në një shkrim të postuar në Facebook, Bylykbashi ka sjellë një paralelizëm të një ngjarje të ndodhur në Iran, ku autoritetet shembën banesën e një atleteje pasi kjo e fundit garoi duke shkelur rregullin që femrat duhet të mbajnë shami në kokë, dhe ngjarjen e ndodhur sot në Golem, ku iu vu tritoli resortit me leje.

Deputeti shprehet se “autoritetet e Edi Ramës prishën me nxitim në shkelje brutale të ligjit një resort turistik të ngritur me leje të firmosur nga vetë ai”, ndërsa shton se “të gjithë e interpretojnë pa ekuivok si përpjekje për t’i mbyllur gojën njërit prej grupeve mediatike me të mëdhenj e më të ndjekur në vend”.

“Presioni e dhuna mbi median nuk bëhet vetëm duke arrestuar e shantazhur gazetarët, por edhe duke goditur vetë pronarët e mediave. Justifikimi zyrtar i Tiranës, njësoj si ai i Teheranit, është se “ndërtimi është i paligjshëm, nuk ka leje”, paçka se lejen e kishte firmosur vetë Edi Rama.  Edhe në regjimin e despotit të Tiranës, si në atë të ajatollahëve të Teheranit, nuk ka gjykatë që të mbrojë lirinë e shprehjes dhe të medias”, shkruan ai ndër të tjera.

Reagimi i plotë:

Teheran – Tiranë

Një shami për të mbyllur gojën

Teheran, dhjetor 2022:

Autoritetet islamikë të Ajatollah Khameneit shembën shtëpinë e atletes iraniane Elnaz Rekabi, e cila garoi duke shkelur rregullin strikt të regjimit iranian që atletet femra duhet të mbajnë shaminë e kokës kur garojnë.

Ky gjest i saj u interpretua botërisht si mbështetje për protestat kundër vrasjes nga Policia e Moralit të një vajze të re, e cila nuk mbante shaminë siç duhej. Këto protesta po trondisin prej muajsh regjimin e ajatollahëve.

Prishja e shtëpisë me justifikimin “ishte e paligjshme, nuk kishte leje ndërtimi” është qartazi ndëshkim për përpjekjen për t’u shprehur lirisht. Në Teheran gjykatat e regjimit mbrojnë mbylljen e gojës.

Tiranë, dhjetor 2022:

Autoritetet e Edi Ramës prishën me nxitim, në shkelje brutale të ligjit një resort turistik të ngritur me leje të firmosur nga Edi Rama. Të gjithë e interpretojnë pa ekuivok si përpjekje për t’i mbyllur gojën njërit prej grupeve mediatike me të mëdhenj e më të ndjekur në vend. Presioni e dhuna mbi median nuk bëhet vetëm duke arrestuar e shantazhur gazetarët, por edhe duke goditur vetë pronarët e mediave. Justifikimi zyrtar i Tiranës, njësoj si ai i Teheranit, është se “ndërtimi është i paligjshëm, nuk ka leje”, paçka se lejen e kishte firmosur vetë Edi Rama.

Edhe në regjimin e despotit të Tiranës, si në atë të ajatollahëve të Teheranit, nuk ka gjykatë që të mbrojë lirinë e shprehjes dhe të medias.

Më 6 dhjetor, mblidhemi në protestë që t’u tregojmë liderëve evropianë se në regjimin hibrid të Tiranës dhunohet e drejta e votës, pluralizmi politik, liria e fjalës dhe e medias, është kapur gjithçka, edhe vetë  drejtësia.

Këto janë arsyet pse ky popull, i vjedhur përditë, nga Qeveria, largohet çdo ditë nga ky vend, pasi ka humbur çdo shpresë.

Ne duhet të qëndrojmë e të ngrihemi sëbashku, që krimet e sotme të mos t’i paguajnë fëmijët tanë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb