Dy ditë pas zgjedhjeve në Akademinë e Shkencave të quajtura farsë si nga shumë figura akademike ashtu edhe nga kryeministri Edi Rama, nënkryetari i sapozgjedhur Myzafer Korkuti ka dhënë dorëheqjen.
Në një prononcim për “BalkanWeb”, Korkuti tha pas vendimit se “Kam dhënë dorëheqjen për arsye personale”.

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi të hënën se nëse zgjedhjet do të vazhdonin do të ndërpriste fondet për këtë institucion, por megjithatë procesi vijoi dhe kryetar u zgjodh Gudar Beqiraj ndërsa nënkryetar Myzafer Korkuti. Më pas kryeministri deklaroi se meqë “Akademia” zgjodhi farsën të gjejnë dhe fondet për vijimin e farsës pasi fondet e shtetit do t’i shkoni universitetit për kërkim shkencor.

Pas dorëheqjes së akademikut Korkuti, Akademia ka vendosur thirrjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Asamblesë më 11 shtator ku do të diskutohet për reformimin e institucionit.

Ndërkohë kryetari i sapozgjedhur Gudar Beqiraj ende nuk ka bërë asnjë reagim. Korkuti u zgjodh nënkryetari i Akademisë me 27 vota pro, 3 kundër dhe një abstenim. Më herët ai ka qenë kreu i Akademisë së Shkencave.

Akademiku Artan Fuga ishte i pari që ngriti zërin për atë çfarë po ndodhte në Akademinë e Shkencave duke i drejtuar disa letra edhe kryeministrit Edi Rama, vendimin e të cilit për ndërprerjen e fondeve e mbështeti.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb