Në prag të sfidës kundër Teutës ka folur trajneri i Partizanit, Dritan Mehmeti. Kjo sfidë përkon me 76 vjetorin e klubit dhe tekniku foli për gjendjen e ekipit por dhe për gjëra të tjera.

Përvjetori i 76 i Partizanit, si ndiheni?

“Është një ndjesi e veçantë, sepse të imponon respekt kjo skuadër. Përpos dhe faktit që skuadra futet tek kompleksi i ri për punë ditësh. Siç e dini klubi ka vite që ka vuajtur përsa i përket komplektit. Me investimet e klubit dhe presidentit kemi arritur që klubi do ta inagurojë kompleksin për punë ditësh.”

Çështja e Liços?

“Jam transparent për çdo gjë. Për situatën e Liço asgjë nuk është e vërtetë dhe kaq e madhe sa është bërë. Ai është një lojtar mjaft profesionist. Ishte një moment që ai nuk kishte marrë atletet dhe unë i kisha ndarë në dy grupe. Ai  kishte ngatërruar grupin dhe kështu që e çova në grupin tjetër të vrapimit.”

Sfida me Teutën?

“Çdo skuadër ka filozofinë dhe vështirësitë e veta.  Është një ndeshje që të dyja skuadrat duhet patjetër që të tregojnë vazhdimësi si në lojë, por dhe në rezultat.  E kemi vlerësuar Teutën në mënyrën e duhur dhe do të japim maksimumin duke patur parasysh që skuadra që jo vetëm të ngrejë nivelin e lojës por dhe të kërkojë rezultatin me ngulm.”

Gjendja e Belicës, Zhunior dhe Rrapajt?

“Kishim dhe mungesën e Kallakut. Dy lojtarë i kemi me virozë. Kallaku ka pasur një problem te pulpa. Po ashtu dhe Zhunior pas dëmtimit në ndeshjen me Dinamon. Po punojmë me stafin mjekësor për të arritur konkluzionin për ti pasur pjesë ndaj Teutës apo jo. Në të tilla situata vendos stafi mjekësor bashkë me atë teknik. Do ta shikojmë sot në stërvitje gjendjen e tyre.”

Gjendja fizike e lojtarëve të ardhur së fundmi?

I kemi bërë testet të dy lojtarë të ardhur në momentet e fundit. Kanë një gjendje mesatare në aspektin fizik. Presim të shohim në ditët në vijim gjendjen e tyre dhe të punojmë në mënyrë individuale që ti sjellim në nivelin e skuadrës.

Debutimi i sulmuesit?

“Duke parë testet që kemi bërë dhe këto ditë  që ka qenë pjesë e skuadrës, mendoj se do jetë afër aktivizimit të tij.”

Gjendja emocionale në skuadër?

“Gjendja emocionale dhe harmonia është i atij niveli që kur kam marrë ekipin. Do të vazhdoj që ky lloj entuziazmi që jetë gjatë mbarëvajtjes së ndeshjeve. Përpos rezultateve që nuk ka qenë në nivelin e duhur dhe duhet të përmirësohemi akoma. Duhet kohë që skuadra të përshtatet dhe të sinkronizohet. Do kërkojmë që përpos rritjes së cilësisë së lojës, të vijnë dhe rezultatet.”

Do kërkoni ta dominoni Teutën?

“Jemi Partizani dhe do mundohemi të imponojmë lojën ndaj çdo kundërshtari në kampionat. Kjo do kohën e vet që ne të arrijmë një ekuilibër dhe do kërkojmë të marrim maksimumin tek vetja pastaj duke ju përshtatur kundërshtarit.”

Presion te Partizani?

“Mendoj që të jesh pjesë e Partizanit duhet të jesh në presion gjatë gjithë kohës dhe të japësh më të mirën pasi është një ndër ekipet më elitare të futbollit shqiptar. Personalisht presioni më pëlqen pasi më motivon dhe të kërkojë nga vetja. Këtë gjë përpiqem tja injektoj lojtarëve që presionin ta kthejnë në entuziazëm dhe krenari që janë pjesë e Partizanit.”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb