Pas barazimit me Partizanin dhe fitores me Vllaznisë, Kukësi kërkon vazhdimësinë në kampionat. Kalendari i rezervon një tjetër rival të fortë dhe pretendent si Dinamo, për më tepër që është jashtë fushe. Trajneri Diego Longo vlerëson kundërshtarin, ndërkohë thotë që presioni është te të dyja skuadrat, sepse kërkohet fitorja.

Dinamo – “Dinamo është ngjitur këtë vit, por ka traditë. Ka një ekip të mirë. Mos të harrojmë që ka një ekip të mirë. Është një ekip që pretendon titullin kampion, por aktualisht është në presion. Nëse nuk fiton nesër, atëherë do jetë një problem për ta pasi ka bërë investime të mëdha.

Presioni i Dinamos – “Për sa i përket presionit të jashtëm, ata janë të detyruar të fitojnë. Ne jemi të detyruar të fitojmë vetëm për shkak të mentalitetit që kemi. Nuk ka më alibi. Duhet të bëjmë mirë dhe të kemi rezultate pozitive. Kjo është ajo që duhet të bëjmë.”

Grupi – “Nuk dua ta gjykoj Dinamon. Kukësi ka më shumë sepse është një grup. Ndoshta mund të ndalim si grup, por asnjëherë nuk na ndalin për mentalitetin që kemi. Kampionati është shumë i fortë. E pamë në sezonin e fundit, pasi pati pak diferenca mes skuadrave. Në fillim nuk i kishim balancat. Kemi treguar se mund të fitojmë ndaj çdo ekipi.”

Kukësi – “Ne jemi një ekip sulmues e këtë e tregojnë edhe statistikat. Unë jam i fundit që kam ardhur. I respektoj të gjithë. Jam i lumtur me lojtarët e mi. Ajo që do sugjeroj është që të gjithë të jemi bashkë. Ka shumë lojtarë që meritojnë ekipin Kombëtar. Fakti se mund të luajnë ndeshje jashtë ndikon shumë. Unë i kam kërkuar lojtarëve që të jenë vetja”, përfundoi Longo.

Longo nga ndeshja e parë deri tek e fundit ka bërë shumë pak lëvizje në formacion, duke treguar se u beson pak a shumë të njëjtëve titullarë. Kukësi nuk është i varur nga asnjë, te kjo skuadër shënojnë thuajse të gjithë, 13 golat kanë pasur tetë autorë të ndryshëm.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb