Prestige kalon grupin në kompeticionin e radhës ndërkombëtar në “Urban Cup 2022”, në një turne në futbollin me 8 lojtarë që po zhvillohet në Sofje të Bullgarisë.

Ekipi shqiptar në ndeshjen e parë u mund 3-2 nga vendasit Tera Trak, në një ndeshje ku fati nuk ishte me Prestige, me gjithë rastet e krijuara nga skuadra. Ndërsa në ndeshjen e dytë skuadra shqiptare fitoi 3-1 kundër Trakiec, një ndeshje e dominura totalisht nga Prestige.

Fatmir Hysenbelliu i dha avantazhin Prestige me një diagonale kirurgjike që në minutat e para të ndeshjes. Bullgarët reaguan dhe arritën që ti barazojnë shifrat, por në çastet e fundit të pjesës së parë, ishte sërish Hysenbelliu, i cili finalizoi një aksion të bukur, duke i rikthyer në avantazh Prestige. Pjesa e dytë vijoi e luftuar, ndërsa me një zbritje në shpejtë në minutat e fundit, Xhika vulosi fitoren 3-1 për Prestige.

Ky sukses e kualifikon Prestige në çerekfinale, pasi në grupin A prej 4 ekipeve aktualisht ndodhet në vendin e dytë, me ndeshjet e fundit në grup që do të luhen të premten, por që kualifikohen 3 skuadra.

Sfida e fundit në grup për Prestige është kundër DXC, tjetër ekip bullgar që ka një fitore. Trakiec ka dy humbje dhe është eliminuar, nisur nga përballjet direkte.

Në këtë aktivitet marrin pjesë 11 ekipe, nga shtete si Bullgaria, Shqipëria, Mali i Zi, Moldavia dhe Izraeli, të ndara në tre grupe. Loja luhet në fusha me përmasa 60×40 metra dhe me nga dy pjesë nga 25 minuta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb