Nga Aurora Golemi
Rreth 20 mije turistë nga vendet nordike do të pushojnë këtë verë në bregdetin e  Golemit, të cilin e konsiderojnë “Antaljan” e Shqipërisë. Nordikët cilësohen si turistë elitarë pasi sipas specialistëve, shpenzojnë deri në 100 euro në ditë. Shifrat duken premtuese. 25 hotele të rezervuara, dhe 2500 dhoma. Disa prej hoteleve, janë prenotuar deri në vitin 2020, ndërsa vetëm për këtë verë priten që në ekonominë tonë të gjenerohen mbi 2 miliardë lekë ekstra.

Kreu i Unionit Turistik Shqiptar Rrahman Kasa

prestige hotel

Por kreu i Unionit Turistik Shqiptar Rrahman Kasa ka një shqetësim të madh të prezantuar nga vetë të huajt. Sipas tij, agjencia Apollo që po sjell nordikët në Shqipëri, ka vënë kusht përfundimin e punimeve në infrastrukturë në zonën e Golemit. Gjatë inspektimeve paraprake të rrugës, përfaqësues të agjencisë thanë se avioni nuk do lëvizë nga Rinasi, për të qenë gati në rastin e keq, kur turistëve nuk do u pëlqejë diçka dhe do vendosin të kthehen.

“Ata kishin problem për infrastrukturën në zonën e Golemit. Firma ndërtuese i filloi shumë vonë ndërtimin në tetor. Gjendja u përkeqësua gërryen rrugën.

Këta kur vijnë për inspektim lëviznin me çizmet. U diskutua që të shtrohet si opsion si një variant. Nëse ata turistë vendosin të kthehen sipas ligjit je i detyruar t’i kthesh në shtëpinë e tyre brenda ditës”, thotë Rrahman Kasa, kreu i unionit turistik shqiptar.

Ai shprehet më tej se shqetësimin për infrastrukturën në Golem ia ka parashtruar Kryeministrit Rama në një takim. Vetëm pas këtij takimi makineritë e firmës ndërtuese janë rivënë në punë për ndërtimin e rrugës në Golem.

“Kemi ngritur zërin me kryeministrin  dhe ministrat ia shpjeguam situatën filloi te lëvizi. I ndezën makineritë firma tenderuese, tani jemi në një fazë që po lëvizim”, tha më tej Kasa.

Prestigj Resort në Golem, është një nga resortet e rezervuara deri në vitin 2020 nga turistët nordikë. Turistët janë ambasadorët më të mirë të vendit thotë Kasa, i cili është i sigurt që përmirësimi i infrastrukturës rrugore do t’i japë sërish shansin Golemit të jetë  “Hirushja” e bregdetit shqiptar edhe këtë sezon veror por për këtë duhet vullneti dhe vëmendja e shtetit.

“Deri në 2020 Prestigj Resort është i prenotuar. Resorti i plotësonte të gjitha kriteret e agjencisë. Prestigj Resort është një nga resortet  më të mëdha në Ballkan. Turistet nordikë nuk e kërkojnë shume luksin por kërkojnë rregull disiplinë, i duan të përpikta por funksionale të rehatshme dhe shërbim cilësor”, tha Kasa.

Golemi priti 1 milion turistë të huaj verën që kaloi. Këtë verë do t’i shtohen edhe turistët nordikë. Por shqetësimi që kanë agjencitë turistike shqiptare për infrastrukturën, e kapërcen Golemin dhe shtrihet për zonat turistike të vendit. “Meraku im është infrastruktura që i shërben turizmit, kemi segmente si rruga tek Syri i Kaltër, tek trageti i Komanit, nga Leskoviku në Ersekë përbëjnë itinerare të kërkuara. Shteti të këtë dëshirë dhe vullnet për ta bërë këtë të mundur. Do i kërkoja shtetit të gjenden paratë për infrastrukturën”, apeloi Kasa.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb