Të shumtë ishin të ftuarit VIP të presidentit të “Hysenbelliu Group”, Irfan Hysenbelliu në “Prestige Resort” për të ndjekur Orkestrën Kineze të Flautit të Bambusë, e përbërë nga muzikantët më të njohur të Kinës. Në aktivitetin e zhvilluar pak ditë më parë, morën pjesë: ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi; ambasadorja e Kinës në Shqipëri, Jiang Yu; kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako; deputeti i PS-së, Bashkim Fino; kryetari i Bashkisë së Kavajës, Isa Sakja; presidenti i Biznes Albania, Luan Bregasi etj.

Në fjalën e tij, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, e vlerësoi punën e “Prestige Resort” për krijimin e një ambienti mikpritës dhe shumë festiv. “’Prestige Resort’ e ka bërë punën siç duhet për të pritur trupën e orkestrës kineze. Ka krijuar një vend shumë mikpritës, shumë festiv e të bukur. Është e disata herë që vij në këtë mjedis për të ndarë me turistët e këtij resorti shfaqje të ndryshme”, tha Klosi.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit ka falënderuar dhe presidentin e “Hysenbelliu Group”, Irfan Hysenbelliun, për organizimin e këtij aktiviteti të rëndësishëm kulturor. “Jemi këtu të gjithë së bashku që të krijojmë një Shqipëri europiane dhe turistike dhe kaq shumë pasaporta që janë në këtë resort dhe që kanë qenë gjatë gjithë sezonit turistik, turistë nga të gjithë vendet e botës, dëshmon që me modele të tilla si ‘Prestige Resort’ ne mundet të çajmë përpara. Edhe një herë, shumë faleminderit presidentit të ‘Hysenbelliu Group’, që na ka organizuar këtë mbrëmje”, është shprehur Klosi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb