“Prestige Resort” ka çelur zyrtarisht sezonin e ri turistik në “Malin e Robit” me mbërritjen e një grupi turistësh nga vendet nordike.

Pasditen e djeshme, mbërritën 121 pushuesit e parë, të cilët u akomoduan në ambientet luksoze të hotelit, të ndërtuar nën hijen e pishave madhështore dhe mes gjelbërimit, te ish-Mak Albania.

“Prestige Resort” është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara të pushuesve, jo vetëm vendas por edhe të huaj. Grupi i parë i pushuesve, që njëkohësisht inauguruan edhe ambientet e reja të hotelit, ishin nordikë, pjesë e agjencisë turistike “Apollo”, e cila operon me resortin “Prestige”. Ajo që e bën të veçantë këtë resort të ri, është fakti që ambiente të bollshme, me pishina, gjelbërim, kushte bashkëkohore në infrastrukturë, shërbim, që të gjitha bashkë kanë vetëm e vetëm një qëllim: cilësinë e shërbimit. Resorti “Prestige” ka në organikën e tij një staf të kualifikuar që punon me përkushtim për të kënaqur pushuesit, ku krahas të tjerave, ushqimi përgatitet nga kuzhinierë profesionistë me eksperiencë kombëtare.

Pushuesit e parë të ardhur nga Danimarka e Suedia u pritën ngrohtësisht nga stafi i resortit, të cilët kishin organizuar edhe një koktej për mysafirët, që mbetën me përshtypje të mira nga mikpritja, qetësia dhe bukuria që ofron resort “Prestige”.

“Kjo është hera e parë që vizitoj Shqipërinë. Jam i mrekulluar. Qenka vërtet shumë e bukur, ashtu sikurse na e kanë servirur mediat tona në Suedi, të cilat flasin shumë, shumë mirë për vendin tuaj. Kemi ardhur sot (dje) me agjencinë e udhëtimit.

Gjithçka shkoi shumë mirë përgjatë udhëtimit, ndërsa mbërritja këtu është fantastike. Këtu qenka një mrekulli. Ambientet komode dhe shumë të bukura. Stafi i resortit ‘Prestige’ na priti ngrohtësisht. Siç e shikoni, kanë organizuar edhe një koktej për ne. Ne kemi dëgjuar shumë për cilësinë e diellit, natyrën, plazhet e bukura dhe mikpritjen shqiptare.

Realisht po na duket edhe më bukur se ç’na e kishin servirur”, u shpreh Bengt Hansson nga Suedia, që shoqërohej nga bashkëshortja e tij. Pasi shijuan ushqimet e një menyje speciale me bazë deti dhe frutash ekzotike, realizuar me mjeshtëri nga chef i “Prestige Resort”, pushuesit u akomoduan në dhomat luksoze të resortit. Në mjediset e bukura dhe komode të resortit, pushuesit kanë në dispozicion 150 dhoma me kushte bashkëkohore, shërbim dhe një kuzhinë cilësore. Pikërisht pasditen e djeshme u inaugurua edhe hoteli luksoz disakatësh që ka një kapacitet prej rreth 80 dhomash. Pozicioni gjeografik ku është ngritur resorti “Prestige” bën të mundur që pushuesit të shijojnë panoramën e mrekullueshme të lindjes dhe perëndimit të diellit në Adriatik.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb