Bashkëshorti i Dhurata Prifit, që humbi jetën në një aksident tragjik në rrugën “Jordan Misja” në korrik të vitit të kaluar në Tiranë, ka kërkuar që shkaktari Andrea Memollari të dënohet me 30 vite burg. Pjesëmarrës në pretencën e 20-vjeçarit, Arjan Prifti kërkoi drejtësi për gruan e tij.

“Nënën e fëmijëve të mi e vranë para syve të tyre. Nuk kërkoj hakmarrje, kërkoj vetëm drejtësi. Të dënohet me 30 vite burg shkaktari i aksidentit,” mësohet të ketë thënë Prifti.
Kërkesa e bashkëshortit të Dhuratës, erdhi pas kërkesës së Prokurorisë për ta dënuar me 10 vite burg Memollarin.

Pas ngjarjes së rëndë në rrugën “Jordan Misja” në Tiranë, ku humbi jetën Dhurata Prifti, Andrea Memollari deklaroi përpara efektivëve të policisë se ishte duke biseduar në telefon në momentin që shkeli gruan me makinë. “Nga larg nuk e pashë se kishte njerëz që po kalonin rrugën. Ma kishte marrë mendjen telefoni. E kuptova që e kisha shtypur vetëm kur trupi ishte poshtë makinës”- deklaroi ai.

Gruaja 38-vjeçare u aksidentua për vdekje nga Memollari, teksa ky i fundit ishte duke drejtuar makinën tip “Mercedes-Benz” me targa AA 476 GL. Në momentin kur ndodhi aksidenti, Prifti ishte duke kaluar në anën tjetër të rrugës së bashku me dy djemtë e saj. Në tentativë për të shpëtuar fëmijët, ajo i ka shtyrë ata, duke u shpëtuar jetën. Ndërsa, autori i krimit i ka dhënë gaz makinës duke u larguar nga vendi i ngjarjes, për t’u prangosur vetëm pak orë më vonë. Kurse gruaja u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës, por fatkeqësisht nuk mundi t’u shpëtonte plagëve të marra në trup e në kokë. Në 2015-ën, 20-vjeçari Andrea Memollari ishte arrestuar nga policia, pasi ishte duke lëvizur me shpejtësi në një nga zonat e Tiranës. Ai ka tentuar të korruptojë policin duke i ofruar 500 lekë të reja në mënyrë që la linte të largohej. Në atë kohë, Prokuroria kërkoi 6 muaj burg për Memollarin, por gjykata vendosi ndaj tij dënimin me 40 orë punë në komunitet. Pas kësaj, Memollari kreu dënimin me rehabilitim, me punë të detyruar në muze.

Dhurata Prifti
Dhurata Prifti

 (e.f/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb