Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla i është përgjigjur deklaratës së ministrit të Jashtëm të Serbisë Nikola Selakoviç, në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Selakoviç deklaroi se katër shtetet do të tërheqin njohjen e Kosovës.

Ministrja Gërvalla ka bërë me dije se ende nuk ka asnjë njoftim në lidhje me një çështje të tillë, dhe se një deklaratë e tillë mund të nënkuptojë vetëm dy gjëra: ose lajmi është i pavërtetë, ose ndryshe nga sa qeveria serbe pretendon publikisht, ajo paska kohë që punon për çnjohjet.

“S’kemi asnjë informacion nga asnjë shtet, por edhe nga Serbia nuk i kemi. Fakti që vetëm pak orë pas aplikimit të Kosovës në KE, ata thonë që i kanë gati katër çnjohje tregon dy gjëra: ose lajmi është i pavërtetë ose ata kanë shumë kohë që punojnë për çnjohjen, për dallim nga ajo që deklarojnë publikisht.

Kemi pasur informacione nga shtete në kontinente të tjera që Serbia në asnjë moment s’ka pushuar së punuari për çnjohje. Madje, në shtete afrikane ka pasur oferta të kombinuara me armë ruse dhe vaksina ruse dhe për çudi edhe me sheqer. Kjo ka qenë oferta që iu ka bërë Serbia disa shteteve, të cilat s’e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë”.

Gërvalla tha se Serbia duhet ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Europës nëse vërtet interesohet për qytetarët serbë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb