Kryeministri Edi Rama teksa prezantonte buxhetin e vitit 2022 për Ministrinë te Brendshme u ndal më gjatë te Forcat e Armatosura.

Ai tha se qeveria ka parashikuar përmirësimin e kushteve për në akademi, duke qenë kështu të ngjashëm dhe të përshtatshëm si një vend anëtar i NATO-s.

Gjithashtu, kryeministri tregoi se do të gjejnë të gjithë shqiptarët që kontribuojnë në ushtritë e entiteteve të tjera, në mënyrë që talentin dhe kontributin e tyre ta japin për vendin.

Sakaq, Rama nënvizoi se ka si qëllim të rrisë pagën e ushtarakëve çdo vit, duke mos specifikuar shifër.

“Tjetra ka të bëjë me bazën, me hyrjen në karrierën ushtarake që është dera e akademisë. Nuk mund të pretendojmë të jemi aty ku mund të jemi duke pasur një bazë, që për hir të së vërtetës është larg të qenurit një bazë në lartësinë e asaj që meritojnë për të studiuar në akademinë ushtarake. Por është inekzistente në raport se si duhet të jetë baza e edukimit për një ushtri që synon të ngjisë pak nga pak shkallët në klasifikimin e cilësisë së vendeve të NATO-s. Do të fillojë një mega projekt me faza. Me një fazë të parë që do të garantojë gjithçka që ne duhet të ofrojmë dhe një fazë të dytë e të tretë që do të garantojnë atë që ne duhet të plotësojmë. Do të ndërtojmë një akademi ushtarake që do të jetë model cilësie. Kështu kjo akademi bëhet një akademi që do të shkëlqejë në hartën e sistemit akademik, ushtarak të vendeve të NATO-s.

Pika tjetër është gatishmëria për të krijuar paralelisht me të gjithë kapacitetin në terren me trupa dhe me të gjitha armët konvencionale një forcë gatishmërie e mbrojtje në atë hapësirë që bëhet më e gjerë dhe kërcënuese që është hapësira virtuale, aty ku operohet me teknologji për 1001 të mira, por edhe aty kur forcat potencialisht armiqësore, operojnë për 1001 të zeza. Për këtë arsye na duhet që nga njëra anë ne të forcojmë kapacitetin e kontrollin për territorin dhe gatishmërisë në territor, duke zotëruar mjete të kohës, satelitë, dronë super inteligjentë dhe po ashtu kapaciteti mbrojtës duke zotëruar një mekanizëm të tërë që garanton se e gjithë aktiviteti që zhvillon vendi të mos jetë dot i goditshëm dhe të jetë 100% i sigurt. Këtu vjen një pikë tjetër, mundësia, potenciali dhe ambicia që FA dhe i gjithë sistemi i MB, të kenë në dispozicion një hapësirë ku të bëhet kërkim shkencor, duke i dhënë mundësi vajzave dhe djemve në këto forca që të kenë mbështetje për të zhvilluar së brendshmi kapacitetet teknologjike të ushtrisë shqiptare.

Dihet botërisht, që sistemet e mbrojtjes, janë departamente ku janë bërë çudira që i kanë shërbyer të gjithë vendit. Ne pretendojmë që sistemi ynë i mbrojtjes t’i shërbejë vendit dhe vendoset në dispozicion për vajza dhe djem të talentuar. FA tona të krijojnë një mundësi rekrutimi të këtyre talenteve shqiptare në këtë botë, që punojnë në entitete të tjera, për t’u vendosur në dispozicion e kësaj hapësire të re. Nga ana tjetër, është jashtëzakonisht e rëndësishme të forcojmë kapacitetin e emergjencave civile. Kalimi i emergjencave civile te MB ka qenë gjëja e duhur, rezulton me fakte dhe ajo që na duhet është që vit pas viti të pajisim emergjencat tona civile, me të gjithë dijen për t’u bërë tamam një engjëll mbrojtës për qytetarët e këtij vendi në ditë të vështira. Hapësira për të bërë më shumë është e madhe. Që është goxha e madhe hapësira për t’ju bërë të gjithëve ju të ndiheni krenar që i shërbeni flamurit tonë kombëtar, por për t’ju bërë të ndiheni vërtetë të mbështetur maksimalisht në çdo gjë, çdo ditë. Mos mendoni që është e lehtë për ne që ta dijë se cilat janë nevojat dhe të mos di se këto nevoja t’i adresojë të gjithë njëherësh.

Kini besim që adresimi i nevojave tuaja do të jetë më kuptimplotë. Nuk do të ketë një vit, që nuk do të rriten pagat tuaja. Pagat do të jenë në rritje që ju të mos keni vështirësi kur shkoni në misione jashtë”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: