Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka mori pjesë në aktivitetin e zhvilluar sot në Korçë, ku u bë prezantimi publik i propozimeve arkitektonike për rizhvillimin e stadiumit “Skënderbeu” dhe rikonstruksionin e Pallatit të Sportit nga 3 studiot ndërkombëtare të përzgjedhura për Fazën e Dytë të Konkursit Ndërkombëtar të Projektimit.

Qeveria Shqiptare në bashkëpunim me tre bashkitë dhe Federatën Shqiptare të Futbollit, ka nisur një proces për rikonceptualizimin dhe rizhvillimin e komplekseve sportive dhe të stadiumeve të futbollit në qytetet e Durrësit, Korçës dhe Vlorës.

Në finalen e Konkursit Ndërkombëtar për projektin e stadiumit “Skënderbeu”, u prezantuan 3 finalistë me prestigj në skenën bashkëkohore të arkitekturës, ARCHEA Associati (Itali), BOFILL Architecture (Spanjë) dhe CEBRA (Danimarkë).

Në fjalën e tij, Presidentit Duka u shpreh i kënaqur për këtë nismë, teksa vlerësoi bashkëpunimin me qeverinë shqiptare për investimet në disa prej stadiumeve kryesore në vend dhe siguroi se falë këtyre zhvillimeve madhore Shqipëria mund të sigurojë organizimin e finaleve të një Kampionati Europian për të rinj.

Presidenti Duka i bërë një thirrje Kryeminstri Rama për të punuar së bashku në ndërtimin e tregut të sportit në Shqipëri me ekonominë shqiptare që do të ishte përfituesja më e madhe.

Ndërsa, kreu i qeverisë e uroi publikisht Presidentin e FSHF-së për rizgjedhjen e tij në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s, ndërkohë që shprehu hapur mbështetjen për të qenë krah FSHF-së për organizimin e një tjetër eventi të rëndësishëm.

“Po shfrytëzoj këtë moment për të uruar presidentin e FSHF Armand Duka për zgjedhjen e tij për herë të dytë në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Nuk është e rastit dhe është nder për Shqipërinë që të jetë pjesë e vendimmarrjes në qeverisjen e futbollit”, – tha Rama gjatë ceremonisë së përzgjedhjes së projektit të stadiumit të ri të Korçës, që u lançua në janar të këtij viti.

Kryeministri Rama tha se mbështet ambicien e FSHF për të mundësuar pritjen e Kampionatit Europian të të rinjve, organizuar nga UEFA. FSHF ka aplikuar për këtë projekt gjigant dhe pret vendimin e UEFA-s. “Ky është një projekt gjigant dhe ndaj duhet të jemi gati për të në vitin 2025”, tha Rama gjatë fjalës së tij në Korçë për projektin madhor.

Ndër të tjera, Kryeministri Rama u shpreh se “Sinergjia midis Qeverisë Shqiptare dhe Federatës Shqiptare të Futbollit është baza, themeli, për të arritur që të kemi një Shqipëri me fytyrë tjetër edhe në këtë fushë ku sëbashku me këto tre stadiume të reja që po nisim kemi infrastrukturën më moderne rajon”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: