Hidhet zyrtarisht hapi i parë për ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës, një vepër madhore dhe një projekt i hershëm, me impakt të madh jo vetëm në sektorin energjetik, por në gjithë ekonominë e vendit.

Sot paradite në mjediset e qendrës COD, në praninë e kryeministrit Edi Rama, është bërë prezantimi i skenarëve për Zhvillimin e Projektit për “Hidrocentralin Skavica”.

Në fjalën e saj ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cilësoi hapin e parë për nisjen e procedurave për ndërtimin e HEC Skavicës, si një ëndërr shumëvjeçare e hedhur si ide që në vitet ’60-të, e risjellë në vëmendje herë pas here, por pa arritur asnjëherë finalizimin e projektit të saj. Sot, tha ministrja, Qeveria Shqiptare ka në duar një studim konkret të këtij projekti, i cili ofron disa skenarë për ndërtimin e kësaj vepre.

Balluku u ndal tek ndikimi që do të ketë ndërtimi i Hidrocentralit të Skavicës, duke nisur me optimizimin e Kaskadës së Drinit, eliminimin e përmbytjeve në zonën e fushë Shkodrës dhe fushë Lezhës, rritjen e sigurisë dhe efiçencës në veprat hidrike në HEC-et ekzistuese të kaskadës, por mbi të gjitha hedhjen e një tjetër hapi, drejt përmbushjes së kërkesës energjitike vendase dhe sigurisë së saj.

“Skavica ofron optimizimin e kësaj kaskade, duke bërë që 3 hidrocentralet e tjera të optimizojnë prodhimin e tyre, duke e rritur minimalisht deri në 80 GWh”, ka thënë ministrja Balluku.

Ndërtimi i HEC Skavica do të ofrojë një zgjidhje për përmbytjet në rrjedhën e poshtme të kaskadës. Projekti i propozuar do të mundësojë “magazinimin” e një pjesë të ujit në rast të krijimit të plotave në Drinin e Zi, duke zvogëluar në këtë mënyrë efektet negative në rrjedhën e poshtme të kaskadës.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se kjo vepër do të realizohet me fondet e Qeverisë Shqiptare, duke u mbështetur tek partnerët e saj financiarë dhe synohet, që brenda këtij viti të hapet gara ndërkombëtare për realizmin e kësaj vepre, në formatin projektim i detajuar dhe ndërtim.

“Është e rëndësishme të theksohet, që sot nis ky proces me synimin, që brenda këtij viti ne të realizojmë një garë të hapur, transparente dhe ndërkombëtare, ashtu siç qeveria shqiptare bën, brenda muajit tetor, për të arritur në një instrument të rëndësishëm të kësaj gare, përmes dizenjimit të projektit të detajuar dhe të ndërtimit të veprës. Kjo është një vepër, e cila do të ndërtohet me fonde të Qeverisë Shqiptare, duke u mbështetur tek partnerët tanë financiarë, po përmend BERZH-in, i cili është ofruar për t’a financuar këtë projekt, duke qenë se dhe bashkëpunimi me WBIF, financuese e studimit të fizibilitetit, është një paketë, që ata zakonisht operojnë së bashku”, theksoi ministrja Balluku.

Megjithatë, sipas ministres, ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës nuk do të jetë vetëm një lajm i mirë për sistemin energjetik shqiptar, por do të jetë një lajm i mrekullueshëm për të gjithë ekonominë shqiptare.

Drejtori i KESH, Benet Beci, ka bërë një pasqyrim të detajeve teknike, sa i takon projektit dhe impaktit që ai pritet të ketë në sistemin energjetik shqiptar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb