Leonardo Bonucci është prezantuar mesditën e sotme te Juventusi në një konferencë për shtyp të përgatitur enkas për të. Qendërmbrojtësi sigurisht që nuk iu ka shpëtuar pyetjeve të gazetarëve të cilët e ngacmonin për largimin sezonin e kaluar kur ai zgjodhi Milanin.


Përgjigjjet e 31-vjeçarit kanë qenë të drejtpërdrejta, duke deklaruar se në zemrën e tij gjithmonë ka qenë Juventusi dhe se kalimi te Milan ishte një gabim.

“Ka qenë një vendim i marrë në një moment zemërimi, nuk ka qenë ai i duhuri,”-u shpreh fillimisht italiani. Më pas shtoi: “A do kërkoj falje ndaj tifozëve? Mendoj se çdo gjë duhet të ndodhë në fushë, jam profesionist dhe duhet të vendos objektivat dhe dëshirat e Juventusit para të miave.

Sot, me 10 gusht, nëse do të më ofronin të largohesha nga Juventusi, do të refuzoja. Gjatë vitit të fundit kisha kohë të mësoja se Juventusi është gjithçka për mua, për vitet që kam qenë këtu. E dija në zemrën time që një ditë do të kthehesha dhe pas një viti u bë realitet. Sot është fillimi i një aventure të re.

Për Cristiano Ronaldon? Është mirë që e kemi në ekip, duke parë atë që ka ndodhur në vitet e kaluara…

Nëse do të përballemi përsëri me Real-in, ndeshja nuk do të fillojë 1-0 për ata. Të stërvitesh me atë është një stimul për të gjithë, është një nga ata që nuk i lë asgjë rastësisë dhe është gjithmonë i përqendruar. Kam fatin që jam kthyer tek Juventus dhe të kem lojtarë me të vërtetë të fortë në krahun tim”, ka thënë Bonucci.

(e.k/BalkanWeb)