TIRANE- Pas shkarkimit të Enrik Sulejmanit, është prezantuar sot drejtori i ri i Policisë se Burgjeve. Ka qenë ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj prezantoi drejtorin e ri, ndërsa kjo detyrë do t’i besohet Bardhyl Kaçorrit.

“Duke nisur nga sot, Bardhyl Kaçori, me eksperiencë dhe ka pasur poste të larta drejtuese.”, tha Gjonaj.

Sulejmani u shkarkuar nga detyra më 10 tetor, pas përplasjeve për transferimin e Elvis Martinajt në spitalin e Burgut, i cili qëndronte i shtruar për shkak të plagëve që ka marrë në ngjarjen e 4 tetorit në Bllok. Ndërkohë, gjatë fjalës së saj ministrja Gjonaj tha se shumë shpejt në burgjet e vendit do të zbatohen edhe dy projekte të reja, që kanë si synim rritjen e sigurisë.

“Elementi kriminal ka si synim konstant, vazhdimin e veprimtarisë së paligjshme dhe depërtimin në barrierat apo kontrollet tona të sigurisë, për çka do të përpiqet të shfrytëzojë çdo pasiguri, hezitim, mosvëmendje, apo më keq akoma tendencë për korruptim nga ana e trupës së shërbimit. Në vazhdën e masave në luftën pa kompromis kundër krimit të organizuar, qeveria ka ndërmarrë javën e kaluar edhe dy nisma të rëndësishme që do të kontribuojnë në rritjen e kontrollit dhe sigurisë në burgje. Njëra nga këto masa është ngritja e sallës qëndrore operacionale 24 orë të kontrollit të situatës në burgje pranë DPB-së me akses të plotë nga SHKBB dhe Forca e ligjit. Nisma tjetër ligjore ka të bëjë me vendosjen e një regjimi izolimi për të dënuarit dhe akuzuarit për një vepër penale të kryer në kuadër të pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal, organizatë kriminale, bandë e armatosur, organizatë terroriste apo për vepra me qëllime terroriste. Është detyra e çdo Drejtuesi në sistemin penitenciar dhe çdo punonjësi që të zbatojë me përpikmërinë maksimale detyrat funksionale në zbatim të ligjit. Dhe jemi të vendosur të mos tolerojmë askënd, që harron detyrën e vet funksionale apo joshet nga tundimi i korrupsionit dhe u hap udhë të dënuarve apo të paraburgosurve të vijojnë aktivitetin e tyre kriminal.

Jemi të ndërgjegjshëm që në rradhët e stafit policor dhe punonjësve civil ka njerëz të dedikuar që kryejnë veprimtarinë dhe detyrën e tyre dhe në kushte të vështira. Por me mbështetjen e Kryeministrit dhe të qeverisë, për vitin 2019 po rishikojmë politikat e trajtimit financiar të stafit të policisë së burgjeve me qëllim mbështetjen më të mirë financiare për pagat dhe shpenzimet e tjera logjistike.
Për herë të parë që pas 10 vjetësh, punonjësit e policisë së burgjeve do të pajisen me uniformat e reja dhe në paketën e re ligjore që po punohet së bashku me partnerët ndërkombëtare do tu kushtohet një vëmëndje e veçante karrierës dhe trajnimit profesional të stafit të burgjeve.

Në krye të Policisë së Burgjeve që nga dita e sotme do të jetë z.Bardhul Kaçori, me një karrierë të gjatë dhe të spikatur në radhët e Policisë së Shtetit, ku ka mbajtur edhe poste të larta drejtueses.
Përgatitja dhe përvoja e tij në fushën e sigurisë publike do të jetë një vlerë e shtuar në një strukturë kaq të rëndësishme siç është Policia e Burgjeve. Duke i uruar suksese drejtorit të ri të Policisë së Burgjeve, më lejoni t’ja jap fjalën Kryeministrit të vendit, z.Edi Rama.”, tha ministrja.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb