TIRANË- Ministria e Zhvillimit Urban prezantoi të premten “Hartën dixhitale të vend-depozitimeve të mbetjeve urbane në Shqipëri”.

Në aktivitetin e organizuar me këtë rast, zv/kryeministri Niko Peleshi, duke vlerësuar projektin, kërkoi bashkëpunimin e pushtetit vendor në këtë drejtim, sidomos në aplikimin e tarifës së mbetjeve.

Zv/kryeministri tha se kjo tarifë, që paguhet nga qytetarët, të mos trajtohet politikisht, por këshilltarët bashkiakë të marrin përgjegjësi politike dhe qytetare.

“Tarifa për mbetjet urbane të trajtohet me guxim politik nga pushteti vendor dhe të mos luhet politikisht, nga këshilltarët bashkiake nga njëri apo tjetri kah, në përpjekje për të fituar simpatinë apo një grusht votash, pasi në këshillat bashkiakë shpesh luftohet për të mos vendosur tarifë apo për të mos e ndryshuar tarifën. Ne sot duhet të marrim përgjegjësinë politike dhe qytetare për t’u bërë apel qytetarëve që të paguajnë”, tha Peleshi.

Duke vënë në dukje angazhimin e qeverisë në menazhimin e mbetjeve urbane, edhe në aspektin financiar, Peleshi tha se harta dixhitale do i shërbejë shumë njësive vendore, të cilat po hartojnë planet e përgjithshme vendore.

“Kjo hartë dixhitale po vjen në kohën e duhur dhe cdo lloj plani bazohet mbi bazën e informacioneve. Ajo eshtë shumë profesionale, pasi do t’i shërbejë të gjitha njësive vendore që sot janë duke filluar hartimin e planeve të përgjithshme vendore, të paktën ne 26 prej tyre. Shumë shpejt do të lançojmë fituesit e procedurës prokuruese për 26 qytete kryesore, që do të mbështeten nga qeveria qendrore financiarisht, për të zhvilluar me ekspertizë ndërkombëtare planet e përgjithshme vendore. Identifikimi dhe planifikimi territorial i landfilleve, apo i fushave të menaxhimit të mbetjeve është i domosdoshëm dhe primar”, tha zv/kryeministri Peleshi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb