MALIQ- Aleanca për Shqipërinë Europiane ka prezantuar sot kandidatin për Bashkinë e Maliqit, Gëzim Topçiun. Ndërsa ka marrë fjalën në këtë takim, kryesocialisti është duartrokitur nga të rinjtë që ishin të pranishëm por Rama u ka kërkuar të ruajnë energjitë për fushatë.

“Çuna ruani energjinë për fushatë për të shkuar derë më derë, pa bërtitur, për të thënë se ka vetëm një investim për votën e tyre dhe është vota për Gëzim Topçiun”, tha ai.

Rama tha se Partia Demokratike vazhdon përpjekjen e saj për ti marrë njerëzit për budallenj, duke e quajtur kandidaturën për këtë bashki, rastin më flagrant të këtij fakti.

“Jam shumë i habitur se si PD nuk ka kufi në përpjekjen për ti marrë njerëzit për budallenj. Njerëzit e kësaj zone, janë njerëz të punës, të mençur e të edukuar. Janë njerëz që duhen respektuar edhe kur nuk ndihmohen. Por që t’ju marrin për budallenj dhe t’ju vënë një kandidat që ka qenë kryetar komune e që nuk i duhet as dreqit dhe që ka kandiduar njëherë me Gëzimin dhe ka humbur…”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se në Partinë Demokratike njerëzit i shërbejnë SHQUPI-t, jo qytetarëve. “Në 18 muaj nuk kemi bërë mrekullira. Në 18 muaj dhamë prova që ne jemi drejtimi i duhur. Do të përmbyllim reformën e veterinarisë. Do të zgjerohet zinxhiri i punësimit. Bashkia e Maliqit, do të jetë laboratori i një transformimi të madh. Është e papranueshme që kjo pasuri e Maliqit të mos kthehet në para. Gëzim Topçiu, drejtimi i duhur. SHQUPI nuk duhet lejuar të marrë askënd për budalla. Qeveria jonë do të jetë edhe më pranë jush, dhe do të bëjë edhe më shumë se çka bërë këto 18 muaj”, tha ai.

Rama theksoi se PS dhe LSI janë dy forca politike por një forcë e vetme qeverisëse.

“Ne jemi dy parti, PS dhe LSI por jemi një forcë e madhe qeverisëse. Ne kemi detyrimin tu themi gjithë demokratëve në këto zgjedhje i detyroheni votën, fëmijëve tuaj që nuk kanë të drejtë vote, por që kanë të drejtën që prej jush të marrin drejtimin e duhur, prej jush të marrin investimin e duhur, që këtu është Gëzim Topçiu”, tha kryeministri.

Ndërsa kreu i Kuvendit, Ilir Meta tha se Bashkia e Maliqit është një nga më të rëndësishmet dhe për këtë arsye kërkon një administrator me përvojë, që sipas tij është Gëzim Topçiu.

“Bashkia e Maliqit, ndër më të rëndësishmet dhe kërkon një administrator me përvojë e eksperiencë. Kjo hapësirë e jashtëzakonshme nga Dushari ku unë jam nip e deri në Pojan është një mundësi e pafundme për zhvillim, jo vetëm për të rritur mundësitë për punësim por edhe që puna e bërë deri tani të marrë vlerë. Kjo kërkon zgjedhjen e duhur dhe zgjedhja e duhur është Gëzim Topçiu. Natyrisht duhet edhe qeveria e duhur dhe qeveria e duhur është Aleanca për Shqipërinë Europianë me Edi Ramën kryeministër. Ju ftoj që më 21 qershor të votoni kandidatin e duhur që Maliqi të shkojë në drejtimin e duhur”, tha Meta.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: