BRUKSEL

Komisioneri për zgjerimin Olivér Várhelyi prezantoi sot propozimin për të çuar përpara procesin e zgjerimit të BE-së. Në fjalën e tij, Várhelyi theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor është një përparësi kryesore për Komisionin.

“Ne jemi duke punuar në tre pista: Së pari, sot ne propozojmë hapa konkret se si të përmirësohet procesi i pranimit. Ndërsa jemi duke forcuar dhe përmirësuar procesin, qëllimi mbetet anëtarësimi dhe anëtarësimi i plotë në BE.

Së dyti, dhe paralelisht, Komisioni qëndron fort në rekomandimet e tij për të hapur negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe së shpejti do të sigurojë një përditësim mbi përparimin e bërë nga këto dy vende.

Së treti, në përgatitjen e Samitit BE-Ballkan Perëndimor në Zagreb në maj, Komisioni do të paraqesë një plan zhvillimi ekonomik dhe investimesh për rajonin. ” u shpreh Várhelyi.

Përmirësimi i procesit të pranimit – Një perspektivë e besueshme e BE-së për Ballkanin Perëndimor

Një proces më i besueshëm: Procesi i pranimit duhet të bazohet në besim, besim të ndërsjellë dhe angazhime të qarta nga Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor. Besueshmëria duhet të forcohet përmes një përqendrimi edhe më të fortë në reformat themelore, duke filluar nga sundimi i ligjit, funksionimi i institucioneve demokratike dhe administratës publike, si dhe ekonomia e vendeve kandidate. Kur vendet partnere të plotësojnë kriteret objektive, shtetet anëtare duhet të bien dakord të shkojnë përpara në fazën tjetër të procesit, duke respektuar qasjen e bazuar në meritë.

Një drejtues më i fortë politik: Natyra politike e procesit të pranimit kërkon një udhëheqje më të fortë politike dhe angazhim në nivelet më të larta. Komisioni propozon të rrisë mundësinë e dialogut politik të nivelit të lartë, përmes takimeve të rregullta BE-Ballkan Perëndimor dhe kontakteve të intensifikuara ministrore. Për më tepër, shtetet anëtare duhet të përfshihen në mënyrë më sistematike në monitorimin dhe rishikimin e procesit. Të gjitha organet nën Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit do të përqendrohen shumë më tepër në çështjet kryesore politike dhe reformat, ndërsa Konferencat Ndërqeveritare do të sigurojnë një udhëheqje më të fortë politike për negociatat.

Një proces më dinamik: Për të injektuar dinamizëm të mëtejshëm në procesin e bisedimeve, Komisioni propozon të gruponi kapitujt e negociatave në gjashtë grupime tematike: bazat; tregu i brendshëm; konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse; axhenda e gjelbër dhe lidhja e qëndrueshme; burimet, bujqësia dhe kohezioni; marrëdhëniet e jashtme. Një proces më i parashikueshëm: Komisioni do të sigurojë qartësi më të madhe në lidhje me atë që pret BE-ja nga vendet e zgjerimit në fazat e ndryshme të procesit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb