Një diamant i verdhë, i madh, plot shkëlqim, që paraprakisht është vlerësuar në shumën 15 milionë dollarë, është zbuluar në Dubai nga shtëpia e ankandeve Sotheby’s.

Diamanti “Kanarina e artë” thuhet të jetë një nga diamantet e prerë më të mëdhenj në botë, me peshë 303.1 karat.

“Është një nga diamantet më shkëlqyes në botë, që është zbuluar nga Institutit Gjeologjik Amerikan. Më herët këtë vit është zbuluar edhe një diamant tjetër, 111 karat, në ngjyrë të veçantë, kafe të lehtë, që iu shit një koleksionuesi privat. Ndaj mund të them që ka një interes të jashtëzakonshëm për diamantet, sidomos ato të rrallët”, tha Sophie Stevens, eksperte e gurëve të çmuar “Sotheby’s”.

“Kanarina e artë” është shfaqur fillimisht në Emiratet e Bashkuara Arabe, përpara se të nisë një tur botëror për t’iu prezantuar koleksionuesve dhe të apasionuarve pas gurëve të çmuar në Hong-Kong, Taipei dhe Gjenevë. Më pas, ai do të dalë në ankand në Nju-Jork më 7 dhjetor, ku pritet të shitet edhe mbi 51 milionë dollarë.

“Kanarina e Artë” është zbuluar në fillim të viteve ’80 në Republikën Demokratike të Kongos, nga një vogëlushe që po luante nën rrënojat e një shtëpie, që filloi më pas të luante me gurin e rrallë, për të cilin shumë më vonë u zbulua se ishte diamant. Përpara se t’i jepej forma përfundimtare që ka sot, guri peshonte 890 karat.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb