Është publikuar sot progres-raporti i KE-së për integrimin e Shqipërisë në BE.

Komisioneri evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, autor i paketës së zgjerimit ka prezantuar sot rezultatet e këtij progres-raporti. Që në nisje të fjalës së tij Varhelyi tha se shtyrja e hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka krijuar impakt negativ.

Mes të tjerash ai theksoi se Shqipëria ka rezultate te prekshme në reforma si dhe në luftën kundër krimit.

“Shtyrja e hapjes së negociatave me Shqipërinëdhe Maqedoninë e Veriut ka krijuar impakt negativ. Duhet zgjidhur problemi bilateral mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Të dyja vendet kanë përmbushur kushtet. Është e rëndësishme që këtë ta kuptojnë edhe vendet e BE. Që të nisim dhe konferencën e parë ndërqeveritare. Pas Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do të kalojmë te Mali i Zi, ku janë hapur kapitujt të negociatave. Nuk mund do të mbyllen kapitujt, kjo është pjesë e metodologjisë së re. Mali i Zi duhet të shtojë përpjekjet, siç është liria e shtypit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Serbia duhet të forcojë pavarësinë e gjyqësorit, kjo duhet të bëhet brenda këtij viti. Falënderoj Tanja Fajon për misionin e përmbushur për dialogun Serbi-Kosovë. Shqipëria ka arritur rezultate të prekshme në reforma, në luftën kundër korrupsionit.

Zgjedhjet janë organizuar në përgjithësi mirë. Janë arritur rezultate në luftën kundër krimit të organizuar. Liderët politikë duhet të japin mbështetjen e tyre për dialogun në reformën në gjyqësor dhe në zbatimin e ligjit. Kosova ka qeverinë e saj të re që u përcaktua në zgjedhjet e shkurtit. Është me rëndësi që të shënojë progres në luftën kundër korrupsionit. Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për lehtësimin e vizave. BE ka mundësuar dialog mes Kosovës dhe Serbisë.

Sa i përket Turqisë BE është i gatshëm të angazhohet me të për të rritur bashkëpunimin në disa fusha. Turqia duhet të përmbushë detyrat e saj. Kjo është në interes të përbashkët të të dyja palëve. Uroj të angazhohemi në fusha të tjera me të. Ajo duhet të bëjë më shumë në fushën e të drejtave të njeriut dhe korrupsionit. Turqia vijon një rol të rëndësishëm për sa i përket emigracionet pasi marrë një numër të madh refugjatësh. Kjo ka ndodhur edhe falë një marrëveshjeje mes nesh. Ne do të japim ndihmën tonë për situatën në kufi. Ashtu sikurse e keni parë nga paketa ka progres kudo. Roli juaj ka qenë i rëndësishëm. Kemi parë zgjedhje me standarde. Falënderoj të gjithë për punën që keni bërë për të dhënë rezultate.”, tha ai.

CFARE THOTE RAPORTI I KE
Shqipëria bën përparim në gjyqësor
Shqipëria ka shënuar përparim të mirë në fushën gjyqësore teksa ka vazhduar zbatimin e reformës gjithëpërfshirëse gjyqësore, theksohet në Raportin e Progresit.

Një prej arritjeve kryesore në gjyqësor konsiderohet emërimi i tre gjyqtarëve të rinj në Gjykatën Kushtetuese, që i ka mundësuar të ketë kuorumin prej gjashtë gjyqtarëve në mënyrë që të mbajë mbledhje. Sa i përket vetting-ut, raporti thekson se 62 për qind e rasteve që u janë nënshtruar vetting-ut kanë rezultuar ose në shkarkim apo largim nga puna.

KE-ja thotë se Shqipëria ka shënuar përparim në forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe ka bërë përparim të mirë në luftën kundër krimit të organizuar, duke shënuar rezultate të mira në këtë drejtim. Megjithatë, kritika ka sa i përket sulmeve verbale, fushatave të shpifjes dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve.

“Tensionet ndërmjet aktorëve politikë dhe gazetarëve janë rritur gjatë pandemisë COVID-19 dhe në kontekstin e zgjedhjeve parlamentare”, thuhet në raport. KE-ja po ashtu vë në pah se numri i azilkërkuesve në BE nga Shqipëria ka rënë për 66 për qind më 2020 krahasuar me vitin 2019, përkatësisht nga 20,415 në 6,935 azilkërkues.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: