“Nuk dua ta fsheh që e kam ëndërruar këtë ditë”. Këto ishin fjalët e para të Ardi Veliut, që sot mori postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Ish-kreu i Policisë së Tiranës në ceremoninë e betimit sot në praninë e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, tha se përmbushja e këtij misioni do të jetë sfida e jetës së tij.

“ Në këtë çast, në respekt të të gjithë brezave të policisë shqiptare, në emër të të gjithë punonjësve të policisë së shtetit, për nderim tim personal, betohem që do mbaj me nder flamurin e policisë së Shtetit,” tha Veliu.

“Kjo është një ditë shumë e veçantë për mua. Çdo oficer policie e ëndërron këtë ditë. Nuk dua ta fsheh e kam menduar edhe unë, e shoh si sfidën e jetës sime. Përgjegjësia ndaj qytetarëve të Shqipërisë, besimin e qeverisë shqiptare ndaj meje, më angazhon mua të jap maksimumin tim për ta përmbushur me sukses këtë mision. Jam i ndërgjegjshëm që policia është institucioni më i besuar në Shqipëri. Do realizojmë të gjitha objektivat e vëna nga qeveria shqiptare, për përmirësimin e cilësisë së sigurisë. Policia ka nevojë për një ritëm të ri, më dinamik. Në polici nuk mungojnë njerëzit e duhur dhe profesionistë. Ka nëvojë për ristrukturim të efektshëm si në nivel qendëror edhe në atë vendor. Policia e Shtetit sot ka nevojë për një menaxhim më eficent të burimeve njerëzore. Monitorimi i punonjësve të policisë dhe përmirësimi i kushteve të punës do të jenë elementët kryesore në vazhdim,” u shpreh ai ndër të tjera.

Fjala e plote

I nderuar Z. Ministër!

Të nderuar kolegë!

Kjo është një ditë shumë e veçantë për mua. Sot më është besuar detyra e rëndësishme e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Çdo oficer policie e ëndërron këtë detyrë dhe nuk dua ta fsheh, e kam menduar dhe unë.

Por sot, e shoh si sfidën e jetës sime, përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe atyre që ma besuan këtë detyrë.

Përgjegjësia ndaj qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, si dhe ndaj besimit të Qeverisë së Shqipërisë ndaj meje, në këtë moment që ndodhet rendi dhe siguria publike, në Shqipëri, më angazhon mua për të dhënë maksimumin e përkushtimit tim, për të përmbushur me sukses këtë mision.

Unë e di qe nuk jam vetëm në realizimin e këtij misioni. E po kështu jam i ndërgjegjshëm që organizata e policisë është institucioni më i besuar nga publiku në Shqipëri.

Jam i vendosur të punoj me përkushtim së bashku me ju kolegë të nderuar për të realizuar të gjitha objektivat e vëna nga Qeveria Shqiptare, në drejtim të përmirësimit të situatës së rendit e sigurisë si edhe përmirësimin e mëtejshëm të imazhit të organizatës së policisë në publik.

Policia ka nevojë për një ritëm të ri, më dinamik në të gjitha nivelet, për të qenë më rezultative në realizimin e të gjitha strategjive të miratuara për rendin.

Dhe kjo do të ndodhë.
Ka nevojë për një ristrukturim të efektshëm si në nivel qendror ashtu edhe në nivel vendor.

Policia e Shtetit sot ka nevojë për një menaxhim më efiçent të burimeve njerëzore.

Ne polici nuk mungojnë njerëzit e kualifikuar e profesionistë, po ata jo gjithmonë kanë qenë në vendin e duhur.

Vënia në efiçencë e kapaciteteve njerëzore, trajnimi i tyre i mëtejshëm, ngritja në vazhdimësi e kapaciteteve të reja, vlerësimi dhe monitorimi i vazhdueshëm i punës së punonjësve të policisë, do jetë objektivi kryesor i punës së policisë në të ardhmen.

Do ti kushtojmë vëmendje trajtimit të personelit për ti bërë ata më të motivuar e përkushtuar për të realizuar objektivat.

Do të vlerësohet punonjësi i policisë, i cili është më i përkushtuar dhe më rezultativ.

Menaxhimi me efiçence i burimeve financiare, logjistike si edhe përmirësimi i vazhdueshëm i teknologjisë do të jetë fokusi i punës së Policisë që unë do të drejtoj me përkushtim.

Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin shumë të vlefshëm me partnerët tanë ndërkombëtarë, për të arritur në një polici të standardeve perëndimore.

Do të vazhdojmë bashkëpunimin me të gjithë partnerët e sferës profesionale e shoqërore në vend, duke mos harruar asnjëherë se policimi është një profesion ku duhet të kontribuojnë të gjithë.

I nderuar Z. Ministër!

Besimi, që Qeveria Shqiptare pati për të më ngarkuar këtë detyrë, më vë para një përgjegjësie shumë të madhe, të cilën unë do të mundohem ta justifikoj duke e drejtuar organizatën e Policisë drejt sfidave që kërkon koha, së bashku me kolegët e mi.

Ju faleminderit Z. Ministër!

Ju faleminderit kolegë!
 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb