TIRANE

Cila është pesha e padurueshme e pafajësisë? Sa mund të mbijetosh në shoqëri totalitare ku përmbysja e vlerave është kthyer në sistem dhe ku pafajësia verbon një botë të fajshme deri në asht? Romani më i ri i Primo Shllakut. Ngjarjet zhvillohen gjatë dhe pas luftës së dytë Botërore dhe në qendër është një djalosh me emrin Marin.

“Për të bota nuk është e ndarë në sisteme politike, por bota është e ndarë në njerëz të pafajshëm që duan të mbeten të pafajshëm dhe njerëz që nuk duan të mbeten të pafajshëm. Ashtu ishte koha? E kam kontestuar gjithnjë. Koha dhe njerëzit janë në bashkëveprim. Kohë e mirë është ajo kohë kur njerëzit e bëjnë kohën dhe kohë e keqe është ajo kohë kur koha i bën njerëzit”, tha Primo Shllaku për “News 24”.

Në romanin e Shllakut, për të cilin ai mohon notat biografike por jo Shkodrën si skenografinë e madhe, ka një seri ngjarjesh që prodhojnë një seri idesh.

“Ngacmimi për veprën është i madh sepse periudha e komunizmit nga pikëpamja kulturologjike ishte triumf i lindjes, orientit. Aty del përmes ballafaqimit të dy priftërinjve një katolik e një ortodoks që i kundërvihen pa e ditur njëri tjetrit mbi rëndësinë e pafajësisë”, tha Shllaku.

Vepra e Shllakut vjen në gegnishten letrare dhe ka në qendër një 19-vjeçare, hidraulik dhe apolitik në Shqipërinë që e bën të njohë gjithë përmasën e sistemit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb