Vajza e udhëheqësit të Dubait, Princesha Latifa Al Maktoum, e cila u përpoq të largohej nga vendi në vitin 2018, i ka dërguar miqve të saj një video ku akuzon të atin se po e mban peng.

Në pamjet e shpërndara në BBC, Princesha Latifa, thotë se forcat speciale e kanë droguar dhe e kanë vendosur në paraburgim.

Në video ajo i bënte thirrje miqve që të kërkonin ndihmë tek Kombet e Bashkuara. Ndërkohë ish-Komisionerja e Lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut dhe njëherazi ish-presidentja e Irlandës iu është bashkuar thirrjeve për veprim ndërkombëtar për të përcaktuar gjendjen aktuale dhe vendndodhjen e Latifa-s.

“Unë vazhdoj të jem shumë e shqetësuar për të. Gjërat kanë ecur përpara. Dhe kështu mendoj se duhet të hetohet”, u shpreh ajo.

Babai i Latifa-s, Sheik Mohammed bin Rashid Al Maktoum, është një nga krerët më të pasur të shtetit në botë, udhëheqësi i Dubait dhe nënkryetari i Emirateve të Bashkuara Arabe (UAE).

Sakaq, familja Al Maktoum mohon kategorikisht këto zëra dhe ka përsëritur disa herë që Princeshë Latifa është e sigurt dhe e qetë në gjirin e familjes.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb