Princi Albert II i Monakos bëri një fluturim në jug të Francës me një avion 100 për qind elektrik, për të promovuar një aviacion “më respektues ndaj mjedisit”.

Në bordin e një “Velis Electro”, i zhvilluar nga prodhuesi slloven “Pipistrel”, Princi Albert dhe Raphaël Domjan, themeluesit e projektit SolarStratos, bënë një fluturim vajtje-ardhje prej rreth 30 minutash midis aeroportit të Nisës dhe Monakos.

“Ishte një fluturim shumë i bukur, pak shumë i shkurtër. Ne ndoqëm vijën bregdetare për në Monako”, komentoi Princi Albert, kur zbriti nga avioni i vogël, i vetmi 100 për qind elektrik i certifikuar nga Autoriteti Evropian i Sigurisë së Aviacionit (EASA), që nga qershori 2020.

Pipistrel, që ka një autonomi prej një ore, fluturoi në një lartësi prej 300 metrash, me një shpejtësi 140 kilometra/orë.

“Pajisja konsumoi gjysmën e baterisë së saj në 30 minuta, ose ekuivalentin e një litri benzinë, kundrejt 20 litrave në orë në një aeroplan termik të kësaj madhësie”, tha Domjan.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: