Libri autobiografik i Princit Harry, është botuar tashmë vetëm në gjuhën spanjolle, por se pjesë nga botimi po botohen në vijimësi nga mediat britanike.

Ditën e djeshme The Telegraph publikoi një pjesë ku Harry rrëfehej në lidhje me misionet e tij në Afganistan me Forcat e Armatosura britanike, ku edhe ka treguar se ka vrarë 25 talebanë.

Në lidhje me këtë deklaratë të tij, ditën e sotme kanë reaguar talebanët, të cilët e kanë quajtur Princin si një “humbës të madh”.

Duke folur për MailOnline, militantët u tallën me Dukën e Sussex -it dhe shtuan se ndërsa luftëtarët e tyre janë fituesit përfundimtarë të konfliktit, Harry kishte ‘ikur në pallatin e gjyshes së tij’ dhe tani po lufton për të mbajtur një vend në Familjen Mbretërore.

Në një pjesë tjetër të kujtimeve të tij, Harry thotë se ushtria amerikane e injoroi këshillën e tij për të përdorur bomba më të mëdha dhe për të vrarë më shumë luftëtarë talebanë në një sulm ajror në një bunker.

Duke reaguar ndaj pretendimit të Harry-t për 25 vrasje, komandanti taleban Molavi Agha Gol, 32 vjeç, duke folur nga një pikë kontrolli jashtë Islam Qala një qytet në kufi me Iranin, tha se ai mendonte se Harry po kërkonte vëmendjen.

“Ne jemi ende këtu duke sunduar, por ai ka ikur në pallatin e gjyshes së tij. Ai është një humbës i madh, i cili është përpjekur të tërheqë vëmendjen. Ai është një humbës dhe i frikësuar për të shkuar në një zonë luftimi. Ne bëmë histori duke e dëbuar atë dhe ushtrinë e tij nga atdheu ynë dhe ai duhet të jetë shumë i zemëruar për këtë. Mos besoni çfarëdo që thonë humbësit. Unë shoh shumë lajme rreth tij në Facebook dhe me të vërtetë mendoj se ai është çmendur dhe ka nevojë për një mjek menjëherë.

Edhe nëse ai beson se vrau 25 talebanë, muxhahedinët tanë martirë janë në parajsë, por miqtë e tij pushtues po digjen në ferr dhe unë me të vërtetë shpresoj se kam qenë në Helmand kur ai ishte atje, për ta bërë atë të kuptojë se çfarë janë pjesët e vërteta të shahut. Nëse ai është një burrë i vërtetë dhe nuk është humbës, le të vijë përsëri në Afganistan”, e sfidoi Agha Gol Dukën e Sussex.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb