Publikohet historia e panjohur të diskutimeve dhe debateve të ashpëra që u zhvilluan në fillimin e viteve ’70-të ndërmjet Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut lidhur me ndërtimin e aerodromit ushtarak të Gjadërit, e cila vjen nga dëshmitë e ish-komandantit të Aviacionit Luftarak, Edip Ohri, që për vetë funksionin që mbante, ka qenë i pranishëm në shumë takime pune dhe mbledhje të Këshillit të Mbrojtjes. Sugjerimi i kinezëve që Shqipëria të formonte një bllok të përbashkët me Jugosllavinë e Rumaninë (Tiranë-Beograd-Bukuresht) me qëllim për t’i bërë ballë një ndërhyrje të mundëshme ushtarake të sovjetikëve në Ballkan dhe për të pajtuar Tiranën me Beogradin, ata caktuan si ndërmjetës, Princin e Kamboxhias Samde, Norodom Sihanouk?! Përse nuk pranoi Enver Hoxha që delegacioni ushtarak kinez të vinte në Shqipëri pasi të kishte shkuar më parë në Beograd dhe si u tërhoqën kinezët duke pranuar kushtin e tij…?!

Në pjesën e parë të këtij shkrimi të botuar në numrin e djeshëm, të Memorie.al, nëpërmjet dëshmive të Edip Ohrit, ish-deputet i Kuvendit Popullor dhe Komandant i Përgjithshëm i Aviacionit Luftarak të Shqipërisë, i cili ishte specializuar e diplomuar në akademitë ushtarake të Jugosllavisë, Bashkimit Sovjetik, Kinës dhe asaj të Shtabit të Përgjithshëm në Tiranë, u njohëm me konfliktin e ashpër ndërmjet Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut në Këshillin e Lartë të Mbrojtjes në vitin 1972, lidhur me vëndin se ku do të ndërtohej aeroporti i madh ushtarak, i cili më pas u ndërtua në Luginën e Gjadrit. Sipas dëshmisë së zotit Ohri, në vitin 1968-‘69 kur Shqipëria doli përfundimisht nga Traktati i Varshavës, një ekipi i Ministrisë së Mbrojtjes shkoi për të marrë eksperiencë në Korenë e Veriut, lidhur me tunelizimin e ushtrisë, të cilën koreanët e kishin përdorur me shumë sukses në luftën e gjatë ndaj amerikanëve. Pas kthimit të tyre në Tiranë, u kërkua ndihmë nga Kina që të vinin në Shqipëri një grup specialistësh të cilët do të ndihmonin në lidhje me tunelizimin e ushtrisë shqiptare dhe kryesisht për ndërtimin e një aeroporti ushtarak e tuneleve të Flotës Luftarake Detare. Mehmet Shehu ngulmonte që aeroporti të ndërtohej në fshatin Hekal të Mallakastrës, ndërsa specialistët kinezë dhe ata shqiptarë ishin kundër. Kjo gjë u shtrua për shqyrtim në Këshillin e Mbrojtjes, ku Mehmeti pati një debat shumë të ashpër me Enver Hoxhën.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Zoti Ohri, cila ishte arsyeja kryesore që nxirrte Mehmet Shehu për të mos e ndërtuar aeroportin ushtarak në Luginën e Gjadrit dhe cili ishte mendimi i palës kineze lidhur me atë gjë?

Të vetmin problem që nxirrte kryeministri Mehmet Shehu, ishte ai i tokës. Pra, ai thoshte se nuk mund të na jepte tokën e bukës, të cilën ne, pra Shqipëria, e kishim me pakicë. Këtë mendim të kryeministrit tonë ne ua kishim bërë prezent edhe palës kineze, por ata na thonin se edhe Kina e kishte me pakicë tokën e bukës, por kur binte fjala për mbrojtjen e vëndit, ajo gjë nuk mund të vihej në diskutim. Por desha të shtoj se nuk ishte normale që ne ta kundërshtonim mendimin e kinezëve për ndërtimin e aeroportit në Gjadër, kur ata na e bënin pothuajse falas.

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Mbrojtjes, a u kërkua mendimi juaj në lidhje me ndërtimin e aeroportit?

Po, gjatë asaj mbledhje foli dhe Mendu Backa, Lavdosh Dule dhe unë. Lavdoshi shpjegoi nga ana teknike duke marrë përsipër ndërtimin e aerodromit, kurse në fjalën time unë argumentova nga ana ushtarake duke u kapur kryesisht në tre pika kryesore se përse aeroporti i Gjadrit ishte i përshtatshëm dhe i plotësonte të gjitha parametrat e duhura. Pika e parë që rrëzonte versionin e ndërtimit të aeroportit në Rinas, ishte se Rinasi ishte shumë afër kryeqytetit dhe njëkohëshisht edhe brenda rrezes së goditjes së zjarrit. Pika tjetër e favorshme që kishte Gjadri, ishte se tunelet ishin shumë afër pistës. Duke pasur parasysh se në atë kohë, Shqipëria rrezikohej nga një sulm eventual edhe nga Lindja prej Traktatit të Varshavës edhe nga Perëndimi prej NATOS, unë shpjegova se nga Gjadri, plotësohej rrezja taktike e veprimeve të aviacionit, e cila nga perëndimi shkonte deri në aeroportet e Puljes në Itali dhe nga ana lindore deri në kufirin me Bullgarinë. Të gjitha shpjegimet e mija nga ushtarake unë i bëra mbi një hartë të cilën e vendosa mbi tavolinë.

Po Ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku, çfarë mendimi kishte në lidhje me ndërtimin e aeroportit?

Edhe Beqir Balluku ishte me mendimin tonë që aeroporti të ndërtohej në Gjadër dhe pas mbledhjes së Këshillit të Mbrojtjes, kur unë me Mendu Backën e Lavdosh Dulen shkuam për t’i treguar lidhur me vendimin që ishte marrë për miratimin e variantit të Gjadrit, ai u gëzua shumë.

Si u veprua pas miratimit të variantit të Gjadrit?

Në fund të mbledhjes, Enveri tha: “Mehmet, merr masa me Ministrinë e Mbrojtjes dhe njofto kinezët se ne e miratuam Gjadrin”. Por Mehmeti vazhdonte të qëndronte me inat dhe siç ju thashë më lart, kur dolëm ai nuk na dha as dorën.

Ç’farë u bë pas miratimit të atij variant, pra që aerodromi do të ndërtohej në Gjadër?

Pas miratimit të atij varianti, grupi i specialistëve kinezë shkoi në Kinë dhe filloi nga puna për përgatitjen e projektit, i cili pjesërisht u përgatit atje dhe në Shqipëri. Për ndërtimin e atij aeroporti që për atë kohë ishte tepër modern dhe nuk i linte asgjë mangut as aeroporteve më të mirë që kishte në Ballkan, u punua nga viti 1971 deri në vitet 1975-‘76.

Pse, ç’farë kishte të veçantë ai aerodromi…?!

Ai aeroport i plotësonte të gjitha parametrat e duhura dhe ishte i paisur edhe me pistë rezervë, duke bërë të mundur që avionët të ngriheshin në fluturim duke u nisur që nga gryka e tunelit.

Konkretisht, ku konsistoi ndihma që ju dhanë kinezët për ndërtimin e atij aerodromi?

Për ndërtimin e atij aerodromi, në periudha të ndryshme kohe erdhën disa grupe specialistësh kinezë, të cilët u akomoduan në Hotelin e Gjuetisë në Lezhë dhe në Gjadër. Veç të tjerash ata sollën nga Kina dhe 200 automjete të mëdha vetëshkarkuese, si dhe të gjitha paisjet e tjera të nevojshme. Nga Ministria e Mbrojtjes si përfaqësues pranë specialistëve kinezë, u caktua Josif Zegali, i cili shkoi deri në Suedi dhe disa shtete të tjera perendimore për të blerë paisjet e nevojshme që duheshin për hapjen e tuneleve. Po kështu gjatë atyre viteve që punohej për ndërtimin e tij, aty shkonte shpesh për të ndjekur punimet edhe ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku. Në ndryshim nga aerodromet e tjerë që ishin ndërtuar deri në atë kohë në Shqipëri, në atë të Gjadrit nuk u dërguan për të punuar të burgosurit, por ai u ndërtua me forca ushtarake.

Kur përfundoi ai aerodrom, a ndryshoi mendim Mehmet Shehu?

Në vitin 1975 kur aerodromi i Gjadrit ishte në prag të përfundimit të tij, në mënyrë që të mos krijoheshin subjektivizma në përzgjedhjen e kuadrit ushtarak që do të shërbente aty, ne menduam që aty të çonim një skuadrilje të plotë me “Mig 21” nga regjimenti i Rinasit. Por meqënë se ata nuk donin të lëviznin nga Tirana, nxorrën yçkla duke thënë se ai aerodrom nuk bënte, dhe i dërguan një letër Mehmet Shehut.

Ç’farë ndodhi pas kësaj letre?

Në atë kohë, Mehmet Shehu më thërri mua, me komandantin e ri që më kishte zëvëndësuar (në vitin 1975 unë isha shkarkuar si Komandant i Përgjithshëm i Aviacionit dhe punoja si këshilltar pranë Komandës së saj) dhe bashkë me mua, edhe Duro Shehun, (vëllanë e tij) që mbante funksionin e sekretarit të Komitetit të Partisë së Aviacionit. Sapo hymë në zyrë, Mehmeti më tha: “Hë mo Edip, ti që më refuzove Hekalin, e shef që aviatorët thonë që nuk bën Gjadri?! Çdo bëjmë tani, ta prishim gjithë atë beton që kemi hedhur atje”.

Si iu përgjigjët ju?

Ç’farë t’I thosha, ishte e kotë të debatoje pasi ai nuk më thirri për të më marrë mendim, por vetëm për të më thënë atë gjë. Dhe pas kësaj ai na caktoi që të formonim një komisjon për ta parë gjëndjen në vënd dhe t’i sillnim atij konkluzionet përfundimtare. Kështu ne shkuam në Gjadër dhe të gjithë ata që e kishin kundërshtruar, ndërruan mendim duke thënë se aerodromi nuk kishte asnjë mangësi. Kur shkuam përsëri tek Mehmeti, ai na tha se do të bisedonte edhe me Enverin në mënyrë që ta zgjaste edhe aeroportin e Kuçovës, duke e bërë atë ekuivalent me atë të Gjadrit.

Pas aeroportit të Gjadrit, a kërkoi Shqipëria ndihma të tjera në fushën ushtarake nga kinezët?

Në fundin e vitit 1972, pas vizitës së presidentit amerikan, Nikson në Kinë, dhe letrës që i kishte dërguar Partisë Komuniste të Kinës, Komiteti Qëndror i Partisë së Punës së Shqipërisë, me vendim të Byrosë Politike dhe të Këshillit të Mbrojtjes, u nis për në Kinë një delegacion i madh i Ministrisë së Mbrojtjes, i kryesuar prej Ministrit Beqir Balluku. Ai delegacion në të cilin ndodhesha edhe unë si Komandant i Përgjithshëm i Aviacionit Luftarak, përbëhej prej 18 oficerësh madhorë (ish-gjeneralë e kolonelë) si: Hito Çako, Rrahman Parllaku, Abdi Mati, Vaskë Gjino, Halim Ramohito, Todi Naço, Mendu Backa, Abaz Fejzo, Alfred Moisiu etj., dhe prej 22 ekspertësh të llojeve të ndryshmeve të arëmëve që dispononte ushtria jonë.

A kishte ndodhur më parë që të shkonte në Kinë një delegacion kaq i madh?

Jo, kjo ishte hera e parë dhe bashkë me delegacionin tonë që ishte më i madhi që kishte shkuar ndonjëherë në Kinë, ishin edhe dy radiotelegrafistë nga Ministria e Brendëshme, gjë e cila nuk ishte e zakontë, pasi bisedimet që bëheshin jashtë, përcilleshin për në Tiranë me anë të shifrantave të ambasadave tona përkatëse. Në parantezë desha të them, se vajtjes së atij delegacioni në Kinë, i parapriu ardhja e një delegacioni të Drejtorisë Politike të Ushtrisë kineze në Shqipëri, në vitin 1971. Sa për kuriozitet po ju them se delegacioni kinez në fillim donte të shkonte në Rumani, por Enveri u tha se po të shkonin më parë atje, ata nuk kishin pse vinin në Shqipëri, duke e argumentuar se kinezët na kishin ne miq më të ngushtë se rumunët.

Si vepruan kinezët pas pretendimeve të Enverit?

Ata erdhën më parë në Shqipëri dhe më pas shkuan edhe në Rumani e Jugosllavi. Ideja e delegacionit të Drejtorisë Politike të Ushtrisë kineze në bisedimet me palën shqiptare në Tiranë, ishte kjo: “Ne jemi larg dhe nuk ju ndihmojmë dot, prandaj afrohuni me Rumaninë e Jugosllavinë dhe krijoni një Bllok të fortë”.

Të kthehemi tek delegacioni ushtarak që shkoi në Kinë, në çfarë itinerari udhëtuat dhe si ju pritën atje?

Për të udhëtuar për në Kinë, pala kineze na kishte dërguar një avion të posaçëm Ill-64″ të blerë nga rusët, i cili ishte më i madhi që ishte ulur ndonjëherë në Rinas. Udhëtimi ynë u bë në itinerarin: Rinas-Bukuresht-Teheran-Urumçi (Kina perendimore) Pekin. Nisja e avionit nga Rinasi u bë me 30 minuta vonesë, pasi kur ne të gjithë kishim zënë vënd dhe prisnim nisjen, kryeministri Mehmet Shehu, kishte ardhur aty dhe po bisedonte kokë më kokë me ministrin Beqir Balluku, në një nga sallat e aeroportit.

U morr vesh se për çfarë kishin biseduar?

Mehmeti i dha Beqirit porositë e fundit, duke i thënë se avioni do të ndalonte në Bukuresht dhe ai do të takohej me Ministrin e Mbrojtjes të Rumanisë. Porosia e fundit e Mehmetit ishte ajo se çfarë qëndrimi do të mbante Beqir Balluku ndaj homologut rumun, pasi situata në të cilën ndodhej Shqipëria në atë kohë ishte tepër e vështirë.

Në ç’drejtim ishte e vështirë?

Siç thashë më sipër, ne po niseshim për në Kinë, pas idesë që kishin hedhur kinezët në Tiranë për krijimin e Boshtit: Bukuresht-Beograd-Tiranë dhe për realizimin e kësaj ideje, kinezët kishin sjellë si ndërmjetës në Tiranë, Princin e Kamboxhias, Norodom Sihanouk i cili qëndroi për disa muaj këtu dhe zhvilloi shumë bisedime me Enver Hoxhën. Por Enveri nuk e pranoi idenë e kinezëve, duke thënë se se jugosllavët nuk mund të dilnin kurrë kundër sovjetikëve.

A u realizua takimi me Ministrin e Mbrojtjes të Rumanisë në Bukuresht?

Po, në aeroportin e Bukureshtit kishin dalë për ta pritur delegacionin tonë, vetë Ministri i Mbrojtjes së Rumanisë, i cili kishte qenë shok klase me Beqir Ballukun në Akademinë “Voroshillov” të Moskës dhe gjithashtu edhe zv / kryeministri rumun, Bondarosh. Ministri Beqir Balluku bisedoi rreth një orë kokë më kokë me dy personalitet e larta rumune që kishin dalë për ta pritur, gjë e cila për ne ishte krejt e papritur.

Ju, pjestarët e delegacionit nuk kishit dijeni për atë takim?

Ne nuk kishim dijeni për zhvillimin e atij takimi dhe kur e mësuam atë gjë, menduam se situata ishte e keqe./Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb