Aktivistët e mjedisit dyshojnë se princi i Lihtenshtajnit vrau ndoshta ariun më të madh në Bashkimin Evropian gjatë një ekspedite gjuetie në Rumani në mars të këtij viti.

Grupi mjedisor “Agent Green” pretendon se Princi Emanuel von und zu Liechtenstein mori një leje për të qëlluar një ari femër, por se në vend të saj qëlloi një ari 17-vjeçar, që me gjasë llogaritet ariu më i madh në BE, shkruan BBC.

Zyra e Princit të Lihtenshtajnit tha se ata nuk e dinin prapavijën e kësaj “çështje private dhe personale”. Por, theksuan se natyra është “një nga shqetësimet themelore të familjes së tij dhe element qendror i angazhimit të tyre për qëndrueshmërinë mjedisore dhe sociale”.

Nuk është konfirmuar që princi të kishte leje gjuetie, por “Agent Green” tregoi një dokument që duket të jetë një leje qeveritare për shoqatën e gjuetisë në Covasna, në të cilën princit i jepen disa ditë në mars për gjueti dhe ku potencohet vdekja e një ariu në fshati Oidula në Transilvani.

Organizata mjedisore kombëtare e Rumanisë ka nisur një hetim mbi vrasjen e ariut.

Gjuetia e arinjve ngjyrë kafe u ndalua në Rumani në vitin 2016 sepse kjo kafshë mbrohet sipas një direktive të BE-së. Megjithatë, gjuetia për arinjtë “problematikë” që shkaktojnë dëm është e lejuar dhe aktivistët thonë se problemi nuk zgjidhet me të shtëna.

“Për të marrë leje, duhet të provoni se keni plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme. Sapo të hiqni arinjtë e mëdhenj nga popullata, filloni të destabilizoni popullsinë, ashtu që ky ari ka luajtur një rol vendimtar. Pa arinj si Arthuri, ekziston rreziku i çiftëzimit të të afërmve të ngushtë”, shpjegoi Gabriel Paun nga grupi mjedisor “Agent Green”.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb