Princi i Monakos, Alberti II ka mbërritur në Shqipëri, me ftesë të Presidentit Ilir Meta.

Princ Alberti II u prit në ceremoni zyrtare nga Kreu i Shtetit në ambjentet e Presidencës, për të vijuar më pas me bisedimet dypalëshe midis delegacioneve respektive.

“Vizita e Princit Albert i II është shprehje e qartë e dëshirës dhe vullnetit të përbashkët për t’i nxitur e zhvilluar më tej këto marrëdhënie”, – nënvizoi Presidenti Meta.

Presidenti Meta vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit konkret, në fushat ku eksperienca dhe ekspertiza e Monakos është shumë e njohur ndërkombëtarisht, si në turizëm e në mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e ekonomisë së gjelbër, inovacion e teknologjinë, në shërbimet financiare, trajnimin profesional e në fusha të tjera me interes.

Kreu i Shtetit kërkoi gjithashtu nxitjen e biznesit të Monakos që të eksplorojë dhe investojë në tregun shqiptar.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Duke iu referuar përkatësisë mesdhetare të të dy vendeve,  Presidenti Meta dhe Princi Albert II i Monakos nënvizuan nevojën e rritjes së bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes së ambientit dhe të biodiversitetit.

Të dy Krerët e Shtetit vlerësuan angazhimet në kuadër të Marrëveshjes së Parisit për Klimën, duke nënvizuar interesin për të bashkëpunuar ngushtë në këtë drejtim.

Në fund të bisedimeve zyrtare, në praninë e të dy Krerëve të Shteteve, u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi nga Ministrat e Jashtëm të të dy vendeve, me anë të së cilës palët bien dakord të identifikojnë fushat e veçanta të bashkëpunimit dhe t’i promovojnë më tej ato.

Gjithashtu, u nënshkrua edhe një marrëveshje financimi mes Fondacionit të Princit Albert i II të Monakos me Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura të Vlorës dhe Shoqatës për mbrojtjen e burimeve natyrore “Pisha Flamur”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb