Princi i Suedisë Carl Philip dhe bashkëshortja e tij, princesha Sofia, kanë rezultuar pozitivë në testin për koronavirusin e ri (COVID-19), njoftoi oborri mbretëror suedez.

“Carl Philip, djali 41-vjeçar i mbretit Carl XVI Gustaf dhe mbretëreshës Silvia, dhe Sofia, 35 vjeçe, kanë simptoma të lehta të gripit dhe janë në karantinë në shtëpinë e tyre”, thuhet në deklaratë.

Më tej theksohet mbreti, mbretëresha, motra e madhe e princit, Princesha e Kurorës Victoria, dhe burri i saj Princi Daniel do të testohen gjatë ditës.

Suedia ishte një nga të paktat vende që nuk zbatoi masa të rrepta kufizuese dhe përkundrazi, u mbështet në rekomandimet e publikut për të ndaluar përhapjen e virusit. Megjithatë, pas një rritjeje të re të rasteve, vendi njoftoi kufizime.

Mbledhjet publike tani janë të kufizuara në tetë persona dhe shërbimi i pijeve alkoolike është i ndaluar midis orës 22:00 dhe ora 11:00 në gjithë vendin.

Ndërkohë, agjencia shëndetësore ka lejuar autoritetet lokale të vendosin ndalime për vizitat në shtëpitë e pensionistëve.

Udhëzime të përgjithshme më të rrepta janë gjithashtu në fuqi në rajone të ndryshme.

Vendi skandinav deri më tani ka regjistruar 236 355 raste me virusin dhe 6 622 vdekje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb