NGA: Erion Kaçorri
Princi i kurorës së Arabisë Saudite Mohammed bin Salman për herë të parë ka pranuar të drejtën e Izraelit për të ekzistuar ndërsa ka kritikuar ashpër politiken e ish presidentit Obama në lidhje me marrëveshjen bërthamore me Iranin. Në një intervistë për revistën amerikane ‘The Atlantic’, 32-vjeçari i cili kohët e fundit është bërë mjaft i njohur për qëndrimet e tij të moderuara, deklaroi se si Izraelitet ashtu edhe palestinezët gëzojnë të drejtën të kenë tokën e tyre, një deklaratë kjo surprizë duke pasur parasysh faktin se vendet arabe mes të cilave edhe Arabia Saudite nuk kanë vendosur marrëdhënie diplomatike zyrtare me Izraelin.

“Unë besoj se çdo kush, në çdo vend, gëzon të drejtën për të jetuar në paqe. Unë besoj se Palestinezët dhe Izraelitet kanë të drejtën për të pasur tokën e tyre” deklaroi princi Saudit. Gjatë intervistës, Princi Mohammed shënjestroi liderin suprem të Iranit Ali Khamenei. “Ai beson se zotëron botën. Ai është Hitleri i lindjes së mesme. Në vitin 1920 dhe 1930, askush nuk e shikonte Hitlerin si një rrezik, përveç disa njerëzve, deri në momentin kur ndodhi”.

I pyetur rreth marrëveshjes bërthamore të ish presidentit Obama me Iranin, marrëveshje të cilën presidenti aktual Donald Trump e ka kritikuar ashpër, princi Muhamed ndau të njëjtin qëndrim me shtëpinë e bardhë. “Presidenti Obama besonte se nëse do i jepte Iranit mundësinë për tu hapur ndaj botës, ky vend do të ndryshonte. Por me një regjim të bazuar në këtë ideologji, asgjë nuk mund të ndryshojë. 60 përqind e ekonomisë së Iranit kontrollohet nga Garda Revolucionare dhe përfitimet ekonomike të marrëveshjes bërthamore me Iranin në fakt nuk shkojnë te popullata iraniane. Irani ka përfituar 150 miliard dollarë që nënshkrimit të marrëveshjes, por asnjë cent nuk ka shkuar për ndërtim banesash, për parqe apo autostrada” deklaroi princi Mohammed për revistën amerikane.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb