Edhe pse e ardhmja e tij si trashëgimtar i fronit britanik është e siguruar, Princi William mund t’ia dalë edhe si punëtor restoranti pasi arriti shumë mirë të komunikonte me një klient që telefonoi për të bërë një rezervim në Indian Streatery.

William dhe Kate vizituan restorantin indian në qendër të Birminghamit javën e kaluar si pjesë e turneut të tyre në qytet dhe njohjes me bizneset lokale. Djali i madh i mbretit Charles mori telefonin dhe pranoi rezervimin e një klienti, megjithëse duket se e kishte ngatërruar kur iu desh të jepte adresën e restorantit.

Në fillim të telefonatës, princi i kurorës britanike u shfaq paksa nervoz dhe “humbi pikë” në performancën e tij pasi tha atë që dukej si “Benicia Street” në vend të “Bennetts Hill” kur telefonuesi pyeti se ku ishte restoranti. Pastaj gjithsesi dhe në konsultim paralel me pronarin, ai ka arritur t’i sigurojë burrit një tavolinë për dy.

Megjithatë, Princi i Uellsit e pranoi gabimin e tij kur mbylli telefonin, duke kërkuar falje për faktin se mund të ketë dërguar klientët në një restorant tjetër!

Por shqetësimi i tij ishte i pabazë, pasi, sipas Mirror, gjysmë ore pas telefonatës dhe pasi William dhe Kate ishin larguar, Vinay Aggarwal dhe gruaja e tij Ankita Gulati mbërritën në restorant. Aty u njoftuan me kë kishin folur për rezervimin e tyre. “Oh, a ishte William ai që e mori atë? Nuk ia njoha fare zërin”, tha klienti i habitur 32-vjeçar, i cili arriti të gjejë adresën pavarësisht gafës së William.

Ndërsa pronarja e restorantit familjar, 63-vjeçarja Sharma, më vonë tha se Princi William e ka habitur me spontanitetin e tij.“Në fillim mendova se askush nuk ishte në linjë, se po bënte shaka. Ai ia doli shumë mirë, por adresën e tha krejtësisht gabim” , tha ai teksa qeshte.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb