SHKODËR – Që prej tre ditësh aparatura e mamografisë në poliklinikën e qytetit të Shkodrës është jashtë funksionit. Kjo ka ndodhur pikërisht në muajin sensibilizues, ndërsa pritej shtimi i fluksit të grave për ekzaminimin e kancerit të gjirit. Prishja e aparaturës ka sjellë radhë të gjata të grave që kërkojnë të bëjnë depistimin e kësaj sëmundjeje nëpërmjet aparaturës së mamografisë. Gratë, të cilat nuk janë vetëm nga qyteti i Shkodrës, por edhe nga Lezha dje pohuan se prej tre ditësh qëndrojnë në radhë dhe askush nuk u kthen asnjë përgjigje se kur do të vihet në funksion aparatura. Ka shumë prej tyre që janë me tension dhe nuk mund të qëndrojnë në këmbë. Prishja e aparaturës konfirmohet edhe nga shefi i shërbimit të imazherisë, Agim Dokaj. Sipas tij fluksi i lartë i grave që janë paraqitur këtë muaj, jashtë kapacitetit që mund të kryej brenda një dite aparatura dixhitale, është bërë shkak i bllokimit të saj. Dokaj tha se po punohet intensivisht për ta bërë sa më shpejt funksionale. “Bllokimi i aparatit të mamografisë ka ardhur si rezultat i numrit të madh të vizitave. Mesatarja është 1 mamografi në 35 minuta, ndërsa gjatë këtij muaji mesatarja e mamografisë ka qenë rreth 70 mamografi në ditë, pasi ka pasur dyndje të mëdha”, u shpreh mjeku Agim Dokaj. Sipas tij, duke qenë muaji sensibilizues kundër kancerit të gjirit, duhet të merreshin masat e duhura për të përballuar fluksin. Kjo për faktin se pritej shtimi i numrit të grave që do ti drejtoheshin poliklinikës për të kryer këtë ekzaminim. Mosfunksionimi i saj tashmë detyron gratë që t’i drejtohen kryeqytetit për të bërë depistimin e kancerit të gjirit ku pjesa më e madhe e tyre nuk kanë mundësi për shkak të kostos financiare. Nga të dhënat zyrtare vetëm për tetorin janë kryer rreth 900 kontrolle mamografie, një shifër më e madhe se vizitat gjatë 9 muajve.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb