Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, duke folur për prishjen e Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë, deklaroi se akti duket banditesk.

Lubonja theksoi se kemi të bëjmë me një përsëritje të një traume për qytetin. Ai shton se Tirana ka humbur pikat e veta të referencës, duke thënë se kryeqyteti dhe qytetet e tjera shqiptare po kapen përditë e më shumë nga krimi.

“E shikoj prishjen e Maternitetit si përsëritje të një traume. Duket se Tirana po humb pikat e referimit për çdo qytetar. Kjo të çon tek trauma e shkatërrimit të Teatrit, stadiumit, traumën e shkatërrimit të vilave. Tirana është bërë kryeqytet i pushtetarëve. Thuajse të gjithë pushtetarët thonë se “gjithçka nis me mua”.

Masakra më e madhe është bërë pas viteve 1990, me këtë ekonomi kriminale, me arkitekturë, që nuk ka raport fare ndërtim-gjelbërim. E shikoj këtë gjë si mos-ndjeshmëri. Në vendim-marrje nuk ka kujdes duke u konsultuar me grupet e interesit, as me arkitektë, por vendim-marrje e dhunshme. Bëhet fjalë për monument kulture, por Ministria e Kulturës nuk reagon. Mafia e ndërtimit ka kapur totalisht Bashkinë dhe justifikohet me dëmet e tërmetit. Kjo është politika e gëlimit të parave të pista, ky qytet po kapet çdo ditë nga krimi. Shqiptari do që t’i vijë e keqja te dera, ndoshta atëherë reagon. Atë që e sheh në kodër, prite në votër, thonë”, tha Lubonja.

Duke folur për situatën në Kosovë, Lubonja nënvizoi se Lëvizja Vetëvendosje ka sfidën e jashtëzakonshme, që të vendosë Kosovën në binarët e një sistemi të drejtë politik.

“I mbetem një shkrimi për Vetëvendosjes, ku tregoj se VV është shpresë, por shpreh edhe rezervat e mia. Besoj se do kemi qeveri, që sipas premtimeve elektorale që janë bërë, ku është premtuar lufta ndaj korrupsionit dhe shteti i kapur. Këtu është shpresa. Sfida është e jashtëzakonshme, sepse është ndërtuar një sistem. VV ka gjysmën e deputetëve në parlament. Së paku, Vetëvendosje të mos vjedhë vetë, e ndoshta vjen drejtësia vetiu, se nuk mund ta bësh dot drejtësinë si partia-shtet. Duhen parë edhe problematikat e tjera që ka Kosova, si raporti me Shqipërinë, dialogu me Serbinë etj. Vjosa Osmani duhet parë a i bën dot 80 deputetë. Është e hapur çdo, të shohim ç’do ndodhë”, u shpreh Lubonja.

Ndërsa, në lidhje me takimin e Ramës me Makron në Francë, Lubonja vlerësoi se ngjan se kemi të bëjmë me një shou të kryeministrit tonë para zgjedhjeve.

“Takimi është kryer, sa di unë. Ka qenë drekë pune, ku kanë ngrënë drekë. ne na mbetet që të hulumtojnë. Nuk kishte ndonjë tematikë, sa di unë. Dyshimi im si gazetar, që kemi për detyrë të dyshojmë, është se kjo është drekë pune e rregulluar nga Rama me miqtë e tij në Francë, ka zëra që thonë se edhe sponsorizon disa takime. Sigurisht që Franca ka interesat e veta këtu. Dyshimi im është që Rama do të bëjë shou para zgjedhjeve. Ashtu siç bëri edhe shoun edhe me Erdoganin. Franca e di shumë mirë gjendjen në Shqipëri, por politika kështu është. Dihet se Franca ka pritur edhe Gedafin, pastaj Gedafi u hoq në qafë edhe nga shteti francez. Shqiptarët duhet të heqin dorë nga politika për të sunduar shqiptarët, të legjitimohemi nga ndërkombëtarët. Por, ne e dimë se çfarë ndodh në Shqipëri, ku merren vendime në emër të një grupi kriminal. I zoti e nxjerr gomarin nga balta”, përmbylli Lubonja.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb