Pas aksionit për prishjen e ndërtimeve pa leje në Universitetin Bujqësor, ka reaguar Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Në një prononcim për mediat, Tahiri akuzoi gjyqtarët që ende mbrojnë ndërtimet pa leje.

“Shqipëria që duam nuk është ajo e ndërtimeve pa leje, por ajo e hapësirave të gjelbra. Gjetëm një Shqipëri me biznese në oborret e shkollave. Ashtu siç është edhe përplasja e sistemit të drejtësisë që gjetëm dhe që ende kemi – me sistemin që duam të ndërtojmë mbi të gjitha pas Vetting-ut. Sot disa gjyqtarë ishin bërë gati të merrnin vendim për të siguruar këto objekte të paligjshme. Sepse, tashmë të kthyer në një praktikë klienteliste dhe korruptive të konsoliduar, sa herë gjendemi përpara një ndërtimi pa leje, pavarësisht dimensioneve të çudisë dhe paligjshmërisë, gjenden gjithmonë disa gjyqtarë, të cilët kanë bërë zakon shkeljen e ligjit për shkak të parasë, të marrin në mbrojtje ndërtimet pa leje dhe të ndalojnë institucionet të bëjnë detyrën,” tha Tahiri.

Ministri Tahiri u shpreh se qeveria ishte e vendosur të kryente detyrat e saj dhe se vettingu ishte një hap që nuk kishte kthim pas.

“Vetting-u është një hap që nuk ka kthim pas, pavarësisht rezistencës së të gjithë atyre që në ‘Frontin e të Keqes’ nuk duan që në këtë vend të ketë drejtësi për qytetarët, për fëmijët tanë dhe një Shqipëri më të drejtë e më të denjë. Ne jemi shumë të vendosur dhe këto janë shenja të njëpasnjëshme për të bërë atë për të cilën na kanë besuar qytetarët. Jo të gjitha i kemi bërë, por po punojmë ditë për ditë për të kapur atë që kemi humbur, atë që kemi lënë pas gjatë dy dekadave të kaluara dhe për të ndërtuar Shqipërinë e të ardhmes.
” tha Tahiri.

Forcat e policisë por edhe FNSH-ja mbështetën sot aksionin e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit për të prishur 7 objekte, kryesisht biznese që kishin zënë hapësirat e Universitetit Bujqësor të Kamzës. Për të bërë të mundur vijimin normal të aksionit polica bllokoi edhe rrugën nga rrethrrotullimi i Bathores deri në Institut. Mësohet se aksioni i nisur sot me bizneset do të vijojë edhe me nxjerrjen jashtë të familjeve që kanë zënë hapësirat e universitetit.

(e.f/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb