Profesori dhe ambientalisti Sazan Guri është prononcuar sot në lidhje me prishjen e pedonales dhe ndërtimin e parkimit nëntokësor si prishjen godinë së shkollës 9-vjeçare në Mangalem.

“Si djalë Berati, sigurisht edhe në fushën që mbuloj nuk mund të rri pa reaguar. Kjo vepër ka kushtuar 1.2 milion euro dhe është inauguruar 6 vjet para kurse sot shkatërrohet. Sigurisht që nuk jemi kundër zhvillimit, projekteve apo veprave ndërtimore. Nuk mundet të besosh apo të jesh kaq i prapët apo kaq i palidhur me situatën kur 6 vjet para u ndërtua një qendër dhe sot ta shkatërrosh. E para, parkingjet nuk ndërtohen më në qendër të një qyteti. Së dyti, mund ta bënte tek lulishtja afër turizmit pranë bibliotekës ose poshtë agjencisë, jemi kundra totalisht një administrimi kaq të dhunshëm të lekut publik. Nuk ka vepra nëntokësore, qoftë ky edhe parking mes qytetit sepse ku do të shkarkohen ndotjet që do të sjelli lëvizja e automjeteve? Ka plot mundësi për parkim, s’ka pse të behet mes qytetit. Vizitorët duan të shikojnë qendrën muzeale, kalanë dhe lagjet muzeale dhe ky parkim nuk i shërben turizmit. Njëkohësisht parkimi në qendër sjell ndotje njësoj si metalurgjiku. Pastaj a e dinë këta se këtu poshtë Berati ka “katakombet” të cilat janë më të vjetër se Parisi? Për mua nuk është bërë studim me inxhinierë sepse nuk ka inxhinier që të shkatërrojë një histori kaq të madhe siç është historiku i këtij qyteti, për të bërë një gjë kaq të vogël”, ka thënë Sazan Guri.

Po kështu edhe në lidhje me prishjen e godinës së shkollës në Mangalem Sazan Guri është shprehur kundër. Një tjetër shqetësim që ngriti Guri gjatë një prononcimi për mediat ka qenë ndotja e lumit Osum. “Jam tepër i shqetësuar për hedhjen e inerteve buzë lumit Osum, me justifikimin se do ti pastrojnë më vonë. Nuk ka lidhje “sot e hedh se do ta heq nesër”, lumi kur vjen, vjen me sekonda dhe përmbyt, nuk pyet se çfarë ke ti në mendje”, ka thënë Guri.

Profesori dhe ambientalisti u bën thirrje qytetarëve të Beratit që të mos rrinë lokaleve dhe mos të bërtasin kot, por të ngrenë zërin dhe të mbrojnë qytetin e tyre. Ai i ka bërë thirrje edhe kryetarit të bashkisë, Ervin Demo që të dëgjojë zërin e qytetarëve beratas në lidhje me projektet e rëndësishme të qytetit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb