PRISHTINË- Shpronësimet për ndërtimin e Linjës Energjetike 400kV Kosovë-Shqipëri, ishin ndër vendimet e qeverisë së Republikës së Kosovës, të drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, sot në mbledhjen e pestë që nga zgjedhja në 9 dhjetor në seancën e pas konstituimit të Kuvendit të zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit 2014.
Në këtë mbledhje në prag të Vitit të Ri, qeveria e re e Kosovës miratoi vendime nga fushat e përgjegjësive të saja kushtetuese e ligjore dhe i pari ishte rekomandimi për Kuvendin e Republikës së Kosovës për zgjatjen e periudhës kalimtare të lirimeve nga Tatimi i Vlerës së Shtuar, duke filluar nga data 1 janar 2015 deri në 31 dhjetor 2015.
Në vazhdim, qeveria ka miratuar vendimin përfundimtar për shpronësimin dhe krijimin e të drejtës për interes publik të pronave të paluajtshme dhe zotëruesve të interesit, të cilat preken nga ndërtimi i trasesë për vendosjen e tubacioneve të ngrohjes nga Ndërmarrja Publike Ngrohtorja e Qytetit “Termokos” Prishtinë deri te Termocentrali Kosova B, në zonat kadastrale të komunës së Obiliqit.
Edhe pronat, të cilat preken nga ndërtimi i Linjës Energjetike 400kV Kosovë-Shqipëri, Segmenti i II-të, në zonat kadastrale në komunën e Drenasit, do të shpronësohen sipas vendimit të miratuar sot në mbledhjen e qeverisë së Kosovës.
Në funksion të realizimit të këtij projekti të rëndësisë strategjike, është miratuar edhe vendimi për shpronësime të pronave të paluajtshme, në segmentin e III-të të ndërtimit të Linjës Energjetike 400kV Kosovë-Shqipëri, në zonat kadastrale të komunave Deçan, Junik dhe Gjakovë.
Kabineti qeveritar i ka rekomanduar Kuvendit të Kosovës që të themelojë Komisionin Parlamentar për Diasporën dhe Mërgatën. Kjo duhet të bëhet me qëllim të promovimit dhe avancimit të të drejtave politike dhe sociale të diasporës, që është prioritet i Strategjisë së Diasporës dhe Mërgatës, miratuar nga qeveria e Kosovës. Një nga objektivat e kësaj strategjie është edhe përfaqësimi politik dhe pjesëmarrja aktive në vendimmarrje e diasporës dhe mërgatës kosovare.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka informuar kabinetin qeveritar me zhvillimet rreth çështjes së krijuar për regjistrimin e studentëve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, të kandidatëve nga familjet e kategorive të dala nga Lufta. Ministri ka theksuar se do të mbështesë palët, Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe shoqatat e dala nga lufta, që të arrijnë një zgjedhje të pranueshme për situatën e krijuar. Ministri ka theksuar mbështetjen për autonomin institucionale të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, duke shtuar se qeveria dhe ministria nuk mund të jenë adresa për zgjidhjen e këtij problemi. Kryeministri ka shprehur mbështetjen e plotë të ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për të ndihmuar në gjetjen e zgjedhjes për situatën e krijuar.
Duke shprehur bindjen se kjo do të jetë mbledhja e fundit në këtë vit e kabinetit qeveritar, kryeministri Isa Mustafa ka uruar anëtarët e kabinetit qeveritar për një vit të mbarë dhe të suksesshëm në punën dhe angazhimet e tyre.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: