Prej vitesh tërmeti ka qenë një vizitor i paftuar çdo natë në Thumanë. Ai futej frikshëm brenda pallateve e shtëpive dhe banorët dilnin të trembur për tu strehuar në makina apo në batanijet e shtrira në oborr.

Ajo që dukej se ishte bërë rutinë edhe me lëkundjet e tërmetit, u prish mëngjesin e ftohtë të 26 nëntorit, kur akrepat e orës shënonin 3.54 dhe kur goditja e fortë rrëzoi ndërtesa e mbajti brenda gërmadhave jetë njerëzish.

Thonë se dhimbja nuk mund të matet apo të peshohet, por tërmeti u tregua shumë i egër me familjen e Albert Carës, duke i marrë njëherësh 5 anëtarët e familjes, bashkëshorten Fatmira, djalin e madh Almirin dhe nusen Stela, vajzen Erisa dhe djalin Hasanin.

Alberti 59 vjeç është i vetmi i mbijetuar i familjes. Pas rikuperimit në spital në Itali, ai vazhdon jetën i vetëm duke punuar si shitës ambulant në Mamurras, ku punonte prej 30 vitesh. Këtë 1 vjetor të tragjedisë së tij, e pimë bashkë kafen e mëngjesit.

Është e vështirë për Albertin të flasë për atë natë, kur e gjithë familja iu shua para syve, por peng i ka mbetur djali i madh dhe nusja, të cilët hynë në shtëpi para se të binte tërmeti i orës 3.54 minuta. Ata kishin dalë pas tërmetit të orës 2 dhe u kthyen me shpresën se edhe Toka kishte fjetur…

Pse nuk qëndruan edhe pak jashtë? Pyet veten shpesh Alberti. Duke tundur kokën, tregon pafuqinë për t’i ardhur në ndihmë djalit, të voglit të shtëpisë Hasanit, i cili nuk gëzoi dot ditëlindjen e 18.

Alberti ishte shumë i lidhur me familjen. Për fëmijët do jepte jetën, ndërsa gruaja e ka lënë keq, pasi ishte mbështetja e tij më e madhe. Edhe pse jam malësor dhe nuk e kemi traditë, unë do bëja be në kokë të saj thotë Alberti dhe vë buzën në gaz.

Alberti tregon vështirësitë, sakrificat që ka kaluar në jetë për të shkolluar fëmijët, madje sjell në mëndje rastin e një nate të vitit të ri, kur familja e tij nuk kishte çfarë të hante, jo më të festonte. Atëherë kur mendova se arrita diçka thotë Alberti, gjithçka u shkatërrua.

Pasi u nxor nga forcat e kërkim shpëtimit, Alberti u dërgua për mjekim në spitalin Ushtarak dhe më pas në Itali. Ai kërkonte gjatë gjithë kohës telefonin të lajmëronte familjarët që ishte mirë, pa e ditur që ajo natë do ishte takimi i fundit me ta.

Përtej forcës dhe besimit për të vazhduar jetën për ta, Alberti nuk mban dot lotët, kur kujton gëzimin që kishte kur mori vesh që do bëhej gjysh.

Nga Mamurrasi ku shet duhan, Alberti drejtohet çdo ditë për në varrezat e Thumanës, ku flet dhe qan me familjarët që s’janë më, ndërsa zënkat i ka me gruan, e cila u tregua e padrejtë me të duke e lënë të vetëm.

Pas Thumanës, Alberti merr rrugën për në Kamëz, ku është shpërngulur gjatë kësaj kohe, por aty shtëpia nuk është më plot siç ai është mësuar.

Thumana është vendi ku punuan dhe rritën fëmijët, ndërsa sot kanë dhe varrezat e familjarëve të tyre, Albert Cara dhe Servet Vata. 1 vit më parë, Serveti ndodhej në Greqi me punë sezonale kur mori lajmin e kobshëm që kishte humbur nënën Hajrie Vata dhe djalin 7 vjecar Rojeld Vata. Ky vit nuk ishte i lehte per kete familje, ku asgjë për ta nuk është si më parë, por ato ruajnë kujtime të dy pjesëtarëve që sot ndjejnë mall dhe do t’i kujtojnë gjithmonë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb