Partia Demokratike ka denoncuar një rast që e cilëson si flagrant, ku dyshohet për përfshirje të punonjësve të administratës publike në veprimtari të paligjshme zgjedhore.
Sipas PD-së, pranë shkollës “Petro Nini Luarasi” në Tiranë është zbuluar një ambient i përdorur si zyrë jozyrtare nga Partia Socialiste, ku pretendohet se janë gjetur materiale zgjedhore, pajisje elektronike dhe shuma monetare me qëllim ndikimin dhe tjetërsimin e vullnetit të votuesve.
Tre përfaqësues zyrtarë të Partisë Demokratike kanë njoftuar Policinë e Shtetit për rastin, por sipas tyre, ndërhyrja e policisë ka vonuar mbi 90 minuta, pavarësisht se zyra ndodhej në qendër të Tiranës. Kjo vonesë, sipas denoncuesve, i ka dhënë kohë të mjaftueshme individëve të përfshirë për të ndërhyrë në provat që mund të vërtetonin manipulime zgjedhore.
Partia Demokratike e ka cilësuar këtë ngjarje si një tjetër dëshmi të keqpërdorimit të institucioneve shtetërore nga ana e mazhorancës në pushtet.
(BalkanWeb)