Vijojnë prej disa orësh mbledhjet paralele të Enkelejd Alibeajt dhe Sali Berishës brenda selisë blu, ku në fokus të diskutimeve është çështje e Presidentit të Republikës, por edhe zhvillimet brenda partisë më të madhe opozitare në vend. Lidhur me këtë të fundit, gazetari Osman Stafa raportoi për “BalkanWeb” nga selia blu tha se priten sërish përplasje mes palëve në Partinë Demokratike.

Në mbledhjen e deputetëve me Alibeajn u diskutua edhe për emrat që do të përbëjnë nga opozita dy komisione të posaçme parlamentare dhe një komision hetimor. Nga ana tjetër kryetari i PD-së, Berisha nuk pranon që pjesë e tyre të jenë deputetët që tashmë nuk i janë bashkuar Komisionit të Rithemelimit, duke bërë që palët të kenë një tjetër konflikt mes tyre. Këshilli Kombëtar i PD-së pritet të zgjedhë nënkryetarin e kësaj partie, i cili do të jetë edhe kryetar i grupit parlamentar, për të zëvendësuar Alibeajn.


Sa i përket çështjes së Presidentit, shumica e deputetëve demokratë, Alibeaj, Bardhi, Tabaku, etj., janë shprehur se nuk duan të vazhdojnë negociatat dhe diskutimet për të nxjerrë një emër për kandidat të mundshëm, pasi sipas tyre mazhoranca është tërhequr dhe ka prishur marrëveshjen. Ata thonë se nuk duan të bëhen pjesë e lojës, që sipas tyre, Rama po bën për zgjedhjen e Presidentit dhe që me gjasë do ta zgjedhë në raundin e katërt.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb